Marta Kos: Shqipëria ka përmbushur 80 % të reformave, përfiton 185.6 mln euro
Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar ecurinë e reformave të ndërmarra nga Shqipëria, duke bërë të ditur se vendi ka përmbushur 80% të angazhimeve të kërkuara në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Si rezultat i këtij progresi, Shqipëria pritet të përfitojë 185.6 milionë euro në pagesën e katërt të këtij mekanizmi financiar.
Deklarata u bë gjatë samitit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë, ku në fokus është ecuria e integrimit europian dhe përmbushja e reformave nga vendet e rajonit.
Gjatë fjalës së saj, Kos evidentoi rezultatet e arritura nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, duke theksuar se shpërndarja e fondeve europiane lidhet drejtpërdrejt me performancën e secilit shtet dhe zbatimin konkret të reformave.
Mali i Zi rezulton vendi me përqindjen më të lartë të angazhimeve të përmbushura, me 94%, ndërsa Shqipëria renditet me 80%. Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut ka realizuar 56% të reformave të kërkuara dhe pritet të përfitojë 70.9 milionë euro.
“Plani i Rritjes është hartuar për të mbështetur ekonomikisht vendet e rajonit. Tre shtete kanë shënuar përparim të mirë në reforma. Mali i Zi ka vënë në zbatim 94% të tyre, një rezultat mbresëlënës. Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe do të marrë 185.6 milionë euro në pagesën e katërt. Maqedonia e Veriut ka zbatuar 56% dhe do të përfitojë 70.9 milionë euro”, deklaroi komisionerja europiane.
Ajo përgëzoi vendet që kanë shënuar rezultate në përmbushjen e detyrimeve, duke nënvizuar se mbështetja financiare nuk është automatike, por lidhet me punën dhe progresin e dëshmuar në zbatimin e reformave.
Në fjalën e saj, komisionerja për Zgjerimin u ndal edhe te zhvillimet në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Për Serbinë, Kos bëri një dallim mes qeverisë së mëparshme dhe asaj të re, duke theksuar se mungesa e mbështetjes financiare në të kaluarën lidhej me qasjen e ndjekur nga autoritetet e atëhershme, ndërsa me qeverinë e re kanë nisur diskutimet.
Një vëmendje të veçantë ajo i kushtoi edhe Kosovës, ku shprehu pritshmëri për angazhimin e qeverisë së re në përmbushjen e reformave të kërkuara nga Bashkimi Europian. Kos bëri të ditur se në vijim do të zhvillojë një vizitë në Prishtinë, ku pritet të diskutojë për rrugëtimin europian të vendit.
“Qeveria e re në Kosovë ka mundësinë të realizojë reformat që kërkon Bashkimi Europian. Do të jem në Prishtinë dhe mezi pres këtë vizitë. Edhe Bosnjë-Hercegovina duhet të zbatojë reforma të rëndësishme”, u shpreh Marta Kos.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



