Kos: Serbia nuk përmbushi reformat, Kosova mund të përfitojë më shumë fonde nga Plani i Rritjes

Politikë | 16 minuta më parë

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Komisioni Evropian nuk i ka bërë asnjë pagesë Serbisë që nga janari, për shkak të mungesës së rezultateve në zbatimin e reformave të dakordësuara. Gjatë fjalës hapëse në Samitin e Ballkanit Perëndimor, ajo u ndal edhe te perspektiva evropiane e Kosovës dhe kushtet që duhet të përmbushë Bosnjë-Hercegovina për të përfituar fondet e Planit të Rritjes.

Duke folur për Serbinë, Kos theksoi se agjenda e reformave ishte hartuar në bashkëpunim me qeverinë e mëparshme, e cila nuk arriti të përmbushte angazhimet e marra.

“Për Serbinë, agjenda e reformave u hartua së bashku me qeverinë e mëparshme, e cila nuk ofroi rezultate për reformat për të cilat u dakordësuam. Komisioni nuk i ka bërë asnjë pagesë Beogradit që nga janari dhe tashmë ekziston mundësia për një fillim të ri.

Ne kemi ofruar këshilla, siç kemi folur edhe dje me përfaqësuesit e Listës Studentore në Serbi, se si mund të strukturohen reformat, në mënyrë që të merren sa më shumë fonde nga Plani i Rritjes”, deklaroi Kos.

Sa i përket Kosovës, komisionerja e cilësoi krijimin e qeverisë së re si një mundësi për të rifokusuar procesin e integrimit evropian dhe për të përfituar më shumë fonde nga Bashkimi Evropian. Ajo njoftoi gjithashtu se do të vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit.

“Në Kosovë, qeveria e re është një mundësi e re për një fokus të ri për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. Kjo është një mundësi për të marrë më shumë fonde dhe me shumë kënaqësi do të vij në Kosovë në fillim të dhjetorit, për të folur se si ta çojmë më tej këtë proces dhe ta zgjerojmë atë, tani që ju i keni të gjitha institucionet”, u shpreh Marta Kos.

Ndërkohë, për Bosnjë-Hercegovinën, komisionerja theksoi se vendi duhet të ratifikojë marrëveshjet e nevojshme për të përfituar fondet përkatëse nga Plani i Rritjes.

“Bosnjë-Hercegovina ka ende nevojë të ratifikojë marrëveshjet e duhura për të marrë fondet përkatëse nga Plani i Rritjes. Kjo do të jetë përparësi pasi të jenë krijuar të gjitha institucionet pas zgjedhjeve të dhjetorit dhe kështu do të thotë që Bosnja do të marrë të gjitha fondet e duhura, të cilat nuk i ka marrë deri tani”, përfundoi Kos.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme