Gjatë Samitit të Planit të Rritjes, që po mbahet në Tiranë, Rama e ka cilësuar këtë proces si vendimtar për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe të vetë Evropës.

Ai ka thënë se Plani i Rritjes lidh angazhimet politike me investimet dhe rezultatet konkrete, ndërsa ka përmendur tri dimensionet kryesore të tij: reformat, konvergjencën ekonomike dhe kohezionin rajonal.

“Mblidhemi këtu për Planin e Rritjes, në takimin që vlen për të vlerësuar progresin dhe për të parë zgjidhjet përpara. Ky është një moment mjaft vendimtarë për Ballkanin Perëndimor dhe për secilin prej vendeve të ulur në tryezë dhe po ashtu edhe për vetë Europën. Ne kemi qenë absolutisht entuziastë për nisjen e këtij procesi dhe në një farë mënyrë vuri në lëvizje qasjen e re të integrimit gradual dhe që na mbledh bashkë në 3 dimensione: reformat, konvergjencë ekonomike dhe kohezion rajonal.

Ai lidh angazhimet politike, investime për rezultate hyrje në treg. Jemi të gjithë të vetëdijshëm që sa i takon Ballkanit perëndimor dhe BE nuk mund të presë deri në anëtarësim dhe në fakt na duhet të themi që vitet e fundit, konvergjenca midis 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE po rritet, por ka ende shumë rrugë përpara për të bërë. Ne kemi qenë avokatë të idesë që qytetarët tanë nuk duhet të presin që të përfitojnë nga mundësi më të mira. Bizneset tona nuk duhet të presin të bëhen pjesë e zinxhirit të vlerës në BE. Qytetarët tanë duhet të përfitojnë që tani gradualisht”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se procesi i integrimit kërkon angazhim dhe rezultate konkrete në zbatimin e reformave, ndërsa Bashkimi Evropian është njëkohësisht partner që mbështet vendet e rajonit dhe kërkon përmbushjen e detyrimeve të tyre.

Rama e ka cilësuar BE-në partner të pazëvendësueshëm për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, veçanërisht në procesin e transformimit institucional dhe shtetndërtimit.

“Megjithatë sigurisht jemi të vetëdijshëm që asgjë nuk është e mirëqenë dhe se BE është po kaq i prirur të na ndihmojë të përmirësohemi saç është i prirur të na bjerë me çekiç kokës për të dhënë rezultate me reforma. Është një marrëdhënie ku progresi sjell më shumë pjesëmarrje. Dua të theksoj bindjen time të fortë që për Shqipërinë dhe për të gjitha vendet ulur rreth tryezës, është bekim të kesh BE, si një bashkudhëtar të ngushtë në rrugën e transformimit dhe shtetndërtimit që në të kundërt do të kishte qenë e pamundur për ne për shkak të traditës shumë të varfër të shtetit dhe institucioneve”, theksoi Rama.