Marc Marquez befason të gjithë dhe deklaron tërheqjen nga Botërori i MotoGP. Piloti spanjoll, që sapo ka fituar titullin e 10 kampion bote për pilotë e bëri të ditur vendimin e tij gjatë provave të lira të Çmimit të Madh të Valencias dhe gjeti një mënyrë aspak të zakontë për të bërë njoftimin e tij.

Marquez shfaqi përpara telekamerave një pankartë ku lexohej: ‘Kjo do të jetë gara ime e fundit në MotoGP’ . Menjëherë më pas edhe vetë Ducati Lenovo doli me një njoftim zyrtar ku bënte të ditur vendimin e pilotit 33 vjeçar.

‘Është zyrtare. Marc Marquez vendosi të tërhiqet nga garat e MotoGP dhe Çmimi i Madh i Valencias 2026 do të jetë gara e fundit në karrierën e tij sportive si pilot profesionist dhe me Ducati Lenovo-theksohet në komunikatën e skuderisë italiane

Në këtë mënyrë, Marc Marquez i thotë lamtumirën MotoGP në majën më të lartë të tik, pasi i dedikoi jetën një sporti të cilit i ka dhënë më shumë nga sa pasqyrojnë 10 titujt botërorë të fituar. Që nga viti i debutimit të tij në 2008, Marc Marquez shfaqi petkun e kampionit që mbante brenda tij dhe me kalimin e viteve nuk bëri gjë tjetër veçse krijoi një legjendë i cili pas 19 sezonesh largohet me 10 tituj botërorë( 1 në 125 kubikë në 2010, 1 në Moto2 në 2012 dhe 8 në klasin mbretëror MotoGP në 2013, 2014, 2016, 2017, 2018, 2019, 2025 dhe 2026), 106 fitore(80 në MotoGP), 134 podiume dhe 78 pole position në palmaresin e tij. Shifra, të një legjende thuajse të paarritshëm.

Historia e Marc Marquez po kështu është shënjuar nga aftësia e tij për të mbijetuar. Dëmtimi i rëndë që pësoi në humerusit e krahut të djathtë, në Jerez në vitin 2020, shënoi fillimin e një kalvari fizik, i cili e detyroi t’i nënshtrohej disa herë ndërhyrjeve kirurgjikale. Largimi nga Honda në fund të vitit 2023, pas 11 sezonesh të kaluara në radhët e skuadrës japoneze, i hapi rrugën një kapitulli të ri te Gresini. Kjo eksperiencë e ndihmoi të rikthente konkurrueshmërinë dhe të siguronte kalimin te skuadra zyrtare e Ducatit. Aty, në vitin 2025, rimori fronin e kampionit, gjashtë vjet pas titullit të tij të mëparshëm, ndërsa këtë sezon mbrojti me sukses kurorën, pas një përmbysjeje spektakolare prej 102 pikësh, më e madhja në historinë e MotoGP në rrugën drejt titullit. Ky do të jetë edhe trofeu i fundit që do t’i shtohet koleksionit të tij të lavdishëm.

Me vendimin e tij, Marc Marquez hoqi dorë edhe nga dy vitet e kontratës që kishte ende me Ducatin dhe nga mundësia për të udhëhequr një projekt të skuderisë italiane në 2027 kur do të hyjnë në fuqi rregullat e reja teknike. Ai që duhej të ishte takimi i fundit i një sezoni historik në Valencia, do të shndërrohet në lamtumirën e një prej sportistëve spanjollë më fitues të të gjitha kohërave. Të dielën, numri 93 do të jetë në startin e një gare të MotoGP për herë të fundit. 

Top Channel