Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka shfuqizuar vendimin e Sekretariatit për përjashtimin me 60 ditë nga pjesëmarrja në seancat plenare dhe komisionet parlamentare të deputetëve Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
Përmes vendimit të saj, gjykata ka rrëzuar vendimin nr. 15, datë 12 tetor 2026, që parashikonte përjashtimin e dy deputetëve nga aktiviteti parlamentar për një periudhë 60-ditore.
Me këtë vendim, shfuqizohet masa disiplinore e marrë ndaj Bardhit dhe Balliut, duke u hapur rrugën rikthimit të tyre në seancat plenare dhe komisionet parlamentare.
“Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë
VENDOSI:
1. Shfuqizimin e vendimit nr. 15, datë 12.10.2026 të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën “Për përjashtimin 60 ditë nga pjesëmarrja në seancë plenare dhe komisione parlamentare për deputetët Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu”.
2. Dhënien e vendimit me ekzekutim të menjëhershëm”,- thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu u përjashtuan me 60 ditë nga punimet e Kuvendit më 12 tetor 2026, me vendim të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën. Masa disiplinore u mor pas incidenteve të regjistruara gjatë seancës plenare të 8 tetorit, kur në Kuvend po diskutohej dhe votohej Reforma Administrativo-Territoriale.
Partia Socialiste kërkoi përjashtimin e dy deputetëve demokratë, duke i akuzuar për pengim të zhvillimit normal të seancës, përdorim të gjuhës fyese dhe hedhje të shisheve me ujë e vezëve në drejtim të kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit dhe përfaqësuesve të mazhorancës. Sipas pretendimeve të socialistëve, nga incidentet ishte dëmtuar edhe një punonjës i Gardës së Republikës.
Nga ana tjetër, deputetët e PD-së e kundërshtuan vendimin, duke e cilësuar atë të pabazuar në ligj dhe një masë politike ndaj opozitës. Ata paralajmëruan ankimimin e tij.
Më 12 tetor, Sekretariati i Etikës miratoi përjashtimin 60-ditor të Bardhit dhe Balliut nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare. Ky vendim është shfuqizuar tashmë nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë.













