Swisscontact shënon 25 vjet punë në Kosovë
Organizata Swisscontact ka shënuar 25-vjetorin e veprimtarisë së saj në Kosovë, duke prezantuar përmes 25 tregimeve të ndryshimit rezultatet e bashkëpunimit me institucionet, bizneset dhe komunitetet në krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Në ngjarjen e organizuar më 25 nëntor në Prishtinë morën pjesë përfaqësues të institucioneve, bizneseve, donatorëve dhe komuniteteve me të cilat organizata ka bashkëpunuar gjatë një çerek shekulli.

Sipas njoftimit të Swisscontact, kur organizata kishte filluar veprimtarinë e saj në Kosovë, vendi po rimëkëmbej nga lufta, ndërsa mundësitë për gratë dhe të rinjtë ishin veçanërisht të kufizuara.
Që atëherë, Swisscontact, së bashku me partnerët e saj, ka mundësuar punësim të denjë për më shumë se 11 mijë gra dhe burra, si dhe mbi 75 milionë euro të ardhura shtesë për qytetarët dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme.

Drejtori i Swisscontact për Kosovën, Fisnik Reçica, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët vendorë në arritjen e ndryshimeve afatgjata.
“Një bindje ka mbetur e pandryshuar: ndryshimi i qëndrueshëm ndërtohet me njerëzit dhe partnerët vendorë”, ka deklaruar Reçica.
Shefi i Bashkëpunimit në Ambasadën e Zvicrës, Mattia Poretti, ka theksuar rolin e Swisscontact në zhvillimin e arsimit dual sipas modelit zviceran, si dhe përvojën e gjatë të organizatës në lidhjen e njerëzve me bizneset.
Ndërkaq, Valentina Qarri nga Ambasada e Suedisë ka folur për një partneritet të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe një qasje që ndërthur ekspertizën ndërkombëtare me njohuritë vendore, me qëllim krijimin e ndryshimeve që zgjasin përtej projekteve të veçanta.

Në emër të Bordit Ekzekutiv të Swisscontact, Franziska Koller ka konfirmuar angazhimin e vazhdueshëm të organizatës në Kosovë.
Ajo ka veçuar si sfida të së ardhmes tranzicionin e gjelbër, digjitalizimin, mobilitetin, zhvillimin e aftësive të reja, si dhe çështjen nëse të rinjtë do të zgjedhin ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë.

Në kuadër të ngjarjes është prezantuar edhe ekspozita “25 vjet në 25 ndryshime”, e cila përmes 25 tregimeve ka pasqyruar ndryshimet ndër vite në sektorët e bujqësisë, turizmit, eksportit, aftësimit profesional dhe sipërmarrjes në Kosovë.
Ekspozita ka përfshirë histori të fermerëve, prodhuesve të ushqimit, udhërrëfyesve turistikë, nxënësve të shkollave profesionale dhe themeluesve të kompanive të reja.

Sipas drejtorit rajonal të Swisscontact, Richard Rose, këto histori janë dëshmi e përkushtimit të anëtarëve aktualë dhe të mëparshëm të ekipit të organizatës në Kosovë.
Aktualisht, përmes projekteve GROW, Matching Skills to Jobs, Swiss Entrepreneurship Program dhe WINGS, Swisscontact mbështet inovacionin në biznes, qasjen në tregje, sipërmarrjen dhe aftësimin profesional, me synim krijimin e sistemeve më të forta dhe mundësive më gjithëpërfshirëse, veçanërisht për gratë.

Me rastin e shënimit të 25-vjetorit, Swisscontact ka falënderuar Zvicrën dhe Suedinë për besimin dhe partneritetin afatgjatë, si dhe të gjithë partnerët në Kosovë që kanë kontribuar në këtë rrugëtim.
Swisscontact është një organizatë partnere udhëheqëse në zbatimin e projekteve ndërkombëtare të zhvillimit. E themeluar në Zvicër në vitin 1959, si fondacion privat, i pavarur dhe jofitimprurës, organizata promovon zhvillimin gjithëpërfshirës ekonomik, social dhe ekologjik./Telegrafi/






























