Rama lajkaton Marta Kosin pasi u tërbua për progres-raportin, komisionerja flet për shifra, ‘harron’ demokracinë

11:39, 27/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Edi Rama vendosi të lajkatojë sot Komisioneren e Zgjerimit, Marta Kos, gjatë samitit në Tiranë.

Këto lajka vijnë pasi raportimeve se Edi Rama ishte tërbuar me raportin e progresit të Komisionit Evropian, që damkoste qeverisjen e tij në çdo aspekt.

“Dua tashmë t’i jap fjalën komisioneres Kos dhe ta falënderoj të për angazhimin e jashtëzakonshëm ndaj Ballkanit Perëndimor.

Ta falenderoj që ka qenë një zë i fortë në emrin tonë dhe ta falënderoj që është një zë i fortë në emër të BE kur vjen fjala apo kur bëhet fjalë të na thotë si të rrimë drejt dhe të mos bëjnë lëvizje që mund të sjellin pasoja në vonesë.

Kështu që e dashur Marta, faleminderit për gjithçka,” tha Rama.

Kurse komisionerja foli për shifra, por nuk u ndal aspak tek çështjet e demokracisë apo të sundimit të ligjit.

“Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe do të marrë 185.6 milionë euro në pagesën e katërt, ndërsa Maqedonia e Veriut ka zbatuar 56% dhe do të marrë 79 milionë euro.

Ky Plan i Rritjes kishte si synim rezultatet dhe rritjen. Kur të arriheshin këto rezultate, vendet do të merrnin përfitimet përkatëse. Kjo do të thotë se Mali i Zi dhe Shqipëria do të marrin 15% më shumë, ndërsa Maqedonia e Veriut 10% më shumë”, tha Kos ndër të tjera.

Një ditë më parë, Kos foli edhe për çështjen e protestave.

“Qytetarët që kërkojnë veprime kundër korrupsionit, transparencë më të madhe ose mbrojtje të mjedisit mund ta ndihmojnë vendin drejt BE-së”, tha ajo, duke shtuar se marrja seriozisht e këtyre shqetësimeve do të fuqizonte besueshmërinë e vendit.

Protestuesit shprehen të zhgënjyer nga qasja e BE-së dhe kërkojnë mbështetje më të qartë nga Brukseli, pasi e konsiderojnë kauzën e tyre proeuropiane. “Shqipëria në BE pa Edi Ramën” është një nga sloganet e protestës.

Aktivisti Edison Lika vlerëson se gjatë gjithë kësaj periudhe ka munguar një reagim i qartë dhe i drejtpërdrejtë nga drejtuesit e Komisionit Europian. Ai e konsideron këtë heshtje zhgënjyese për qytetarët që shohin te BE-ja një garant të demokracisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco