Kredia për ekonominë, në rritje edhe për tetorin

Kredia për ekonominë shfaqi përsëri ecuri pozitive gjatë muajit tetor.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia e re kishte vlerën e 38.4 miliardë lekëve, në rritje me 9.5% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Rritja e tetorit është në linjë me mesataren e deritanishme progresive vjetore.
Gjithsej, për 10-mujorin e vitit 2026 sektori bankar ka dhënë më shumë se 375 miliardë lekë kredi për ekonominë, në rritje me 9.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kredia po rritet paralelisht në segmentin e biznesit dhe atë të individëve.
Për muajin tetor, kredia e re për biznesin arriti vlerën e 23.4 miliardë lekëve, 17.2% më shumë krahasuar me tetorin e vitit të kaluar.
Për 10-mujorin 2026, sektori bankar ka disbursuar gjithsej 246.6 miliardë lekë kredi të reja për bizneset, me një rritje vjetore prej 8.8%. Kredia e re për biznesin po shfaq një rritje më të lartë krahasuar me vitin e kaluar.
Në rritje me ritme më të shpejta paraqitet kreditimi i individëve.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për muajin tetor bankat dhanë 12.5 miliardë lekë kredi për individët, me një rritje prej 22.2% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar.
Për të gjithë 10-mujorin, kredia e re për individë preku vlerën e 105.6 miliardë lekëve, në rritje me 18.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kreditimi i individëve vazhdon të shfaqë ecuri pozitive, si në financimin e blerjes së pasurive të paluajtshme, ashtu edhe të konsumit.
Masat kufizuese të vendosura nga Banka e Shqipërisë lidhur me kredinë për blerje banese në mesin e vitit të kaluar nuk kanë sjellë një ngadalësim drastik të kreditimit në këtë segment të tregut.
Bankat janë të detyruara t’u përmbahen disa kritereve më të shtrënguara të administrimit të rrezikut, të lidhura me raportin mes borxhit dhe të ardhurave, si edhe me atë mes huasë dhe vlerës së pronës që financohet. Pas një ngadalësimi gjatë tremujorit të parë të këtij viti, në vijim huaja për shtëpi u është kthyer gradualisht ritmeve të ngjashme të rritjes me vitin 2025.
Edhe rritja e portofolit total të kredisë, e matur si tepricë, ngelet në rritje dyshifrore. Vlera e portofolit të kredisë për ekonominë arriti në 1.015, në rritje me 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Edhe rritja e portofolit po mbështetet në masën më të madhe te segmenti i individëve, me një rritje vjetore pranë nivelit të 17.7%. Ndërsa për bizneset rritja ngelet në nivele më të ulëta, me 9.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.










