Friday / November 27 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Aktualitet Lajmet Kryesore Nga Vendi

Ja të gjitha projektligjet e paketës fiskale të miratuara në Kuvend

Share Share Icon

Në një seancë maratonë që përfundoi rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Paketën Fiskale dhe Buxhetin e Shtetit për vitin 2027. Paketa fiskale u miratua në tërësi me 80 vota pro, ndërsa opozita votoi kundër.

Gjatë seancës plenare u votuan ndryshimet në pesë ligje që përbëjnë Paketën Fiskale, të cilat prekin tatimin mbi të ardhurat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.

Projektligji për ndryshimet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat u miratua me 80 vota pro, 21 kundër dhe asnjë abstenim. Ndërhyrjet përditësojnë kuadrin ligjor që rregullon përcaktimin dhe administrimin e detyrimeve tatimore.

Ndryshimet në ligjin për TVSH-në morën 78 vota pro dhe 21 kundër. Ndërsa projektligji për procedurat tatimore u miratua me 80 vota pro dhe 23 kundër.

Edhe ndryshimet në ligjin për taksat kombëtare morën mbështetjen e 80 deputetëve, kundrejt 20 votave kundër. Ndërsa ndryshimet në ligjin për akcizat u miratuan me 78 vota pro dhe 18 kundër.

Pas votimit të Paketës Fiskale, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi edhe projektbuxhetin për vitin 2027, me 80 vota pro dhe 22 kundër.

https://monitor.al/kuvendi-miraton-me-80-vota-paketen-nga-tvsh-ja-21-te-dividendi-15-si-ndryshojne-taksat/

 

Projektligjet e miratuara të paketës fiskale

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, i cili parashikon ndërhyrje në kuadrin ligjor që rregullon tatimin mbi të ardhurat, me synim përmirësimin dhe qartësimin e dispozitave që lidhen me përcaktimin dhe administrimin e detyrimeve tatimore për kategoritë përkatëse të tatimpaguesve.

U miratua me 80 vota pro, 21 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, synon përditësimin e dispozitave që rregullojnë tatimin mbi vlerën e shtuar, duke përcaktuar ndryshime në trajtimin dhe zbatimin e këtij tatimi, si dhe në administrimin e procedurave përkatëse.

U miratua me 78 vota pro, 21 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, parashikon përmirësime në procedurat tatimore, në marrëdhëniet ndërmjet administratës tatimore dhe tatimpaguesve, si dhe në mekanizmat e kontrollit, zbatimit dhe administrimit të detyrimeve tatimore.

U miratua me 80 vota pro, 23 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”, ndryshimet synojnë rishikimin e disa dispozitave që lidhen me taksat kombëtare, duke përditësuar kuadrin ligjor për kategoritë përkatëse të taksave dhe administrimin e tyre.

U miratua me 80 vota pro, 20 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, parashikon ndryshime në kuadrin ligjor për akcizat, duke synuar përmirësimin e rregullave për zbatimin, administrimin dhe kontrollin e produkteve që i nënshtrohen këtij detyrimi.

U miratua me 78 vota pro, 18 vota kundër dhe 0 abstenim.

Më tej, seanca shqyrtoi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”.

Në tërësi, projektligji përcakton kuadrin financiar të shtetit për vitin 2027, duke parashikuar të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore, financimin e shërbimeve publike, mbështetjen për sektorët prioritarë dhe fondet për investimet publike.

Deputeti z. Erion Braçe prezantoi raportin dhe ndryshimet e bëra nga Komisioni për Ekonominë, Financat dhe Punësimin, ku u shpreh se projektbuxheti i vitit 2027 garanton një balancë pozitive dhe bazohet në programin e Qeverisë. Sipas tij ky buxhet është i mirëstrukturuar dhe vuri në dukje se trajektorja e borxhit publik mbetet në rënie, ndërsa ulen risqet që vijnë nga kontratat koncesionare apo partneritetit publik privat.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 80 vota pro, 22 vota kundër dhe 0 abstenim.

Më tej, u shqyrtua projektligji “Për pranimin e ndryshimeve të përshtatura më 30 maj 2025 të memorandumit të mirëkuptimit të Parisit për kontrollin shtetëror portual, bërë në Paris, më 26.1.1982, aderuar me ligjin nr. 9852, datë 26.12.2007”,

Ky projektligj synon pranimin e ndryshimeve të Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit për Kontrollin Shtetëror Portual. Përditësimet lidhen me bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zbatimin e standardeve për inspektimin e anijeve në porte, sigurinë detare dhe parandalimin e ndotjes nga anijet që nuk përmbushin kërkesat përkatëse.

Projektligji u miratua me 76 vota pro, 3 vota kundër dhe 1 abstenim.

Aktet Normative të miratuara

Seanca plenare vijoi me shqyrtimin e 2 Akteve Normative, përkatësisht:

Akt normativ nr. 5, datë 28.10.2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.4.2001, “Për tubimet””.

Ky Akt normativ parashikon shtesa dhe ndryshime në kuadrin ligjor për organizimin dhe zhvillimin e tubimeve, duke rregulluar dispozita që lidhen me ushtrimin e kësaj të drejte dhe përgjegjësitë përkatëse.

U miratua me 79 vota pro, 21 vota kundër dhe 0 abstenim.

Ministri i Punëve të Brendshme z. Ervin Demo në fjalën e tij për këto Akte Normative, nënvizoi se Policia ka detyrimin të mbrojë çdo qytetar që proteston paqësisht kundër qeverisë, por shtoi se sulmet ndaj efektivëve, institucioneve dhe bizneseve nuk mund të justifikohen nga asnjë kauzë politike.

Ndërsa, depuetja e opozitës znj. Jorida Tabaku kundërshtoi aktin normativ duke e cilësuar si antidemokratik dhe kërkoi njëkohësisht llogari për dhunën policore.

Akt normativ nr. 6, datë 28.10.2026, “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave”.

Ky Akt normativ përcakton mekanizmin për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve, si dhe mënyrën e trajtimit dhe rregullimit të pasojave të këtij dëmi.

U miratua me 80 vota pro, 20 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës””.

Në prezantimin e këtij projektligji, ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Mirela Kumbaro u shpreh se ky projekt i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe asaj franceze, me vlerë të veçantë në cilësinë e arsimit dhe diplomacinë tonë, propozohet të rregullohet me një ligj të veçantë pasi përfaqëson një model krejtësisht të ri në arsimin tonë publik parauniversitar. Projektligji krijon bazën ligjore për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës”, duke përcaktuar organizimin, funksionimin dhe administrimin e tij.

Ndërsa kryetari i Kuvendit z. Niko Peleshi, njëherësh edhe deputet i qarkut të Korçës, në fjalën e tij e cilësoi rihapjen e Liceut një ngjarje me rëndësi kombëtare dhe një investim strategjik për modernizimin e vendit përmes arsimit. Më shumë se një shekull pas themelimit të tij, Liceu Francez synon të rikthehet me një model të ri arsimor, të orientuar drejt shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe inovacionit.

Ky projektligj u miratua me 80 vota pro, 1 votë kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare”.

Ministri i Financave z. Petrit Malaj, theksoi se nisma synon forcimin e mbikëqyrjes së konglomerateve financiare, pjesë e të cilave janë institucione krediti, shoqëri sigurimi dhe shoqëri komisionere. Ajo synon rritjen e koordinimit ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse dhe identifikimin e administrimin e rreziqeve që mund të ndikojnë në stabilitetin financiar.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 77 vota pro, 1 votë kundër dhe 1 abstenim.

Projektligji “Për tregjet e kriptoaseteve”.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit znj. Delina Ibrahmaj, në fjalën e saj u shpreh se projektligji përcakton kuadrin rregullator për tregjet e kriptoaseteve, përfshirë kërkesat për emetimin, ofrimin dhe tregtimin e tyre, si dhe për subjektet që ofrojnë shërbime në këtë treg. Synimi është rritja e transparencës, mbrojtja e përdoruesve dhe krijimi i rregullave të qarta për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

Ndërsa, deputetja znj. Jorida Tabaku tha se ndërsa tregu i kriptomonedhave kërkon vëmendje dhe rregullim të plotë, qeveria nuk duhet të lërë pas dore kontrollin mbi sektorin e ndërtimit, i cili mbetet një nga pikat më vulnerabël ndaj pastrimit të parave në vend.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 80 vota pro, 0 vota kundër dhe 1 abstenim.

Më tej, seanca vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për donacionet dhe sponsorizimet”.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Taulant Balla, në fjalën e tij u shpreh se projektligji përcakton rregullat dhe procedurat për dhënien, përfitimin dhe administrimin e donacioneve dhe sponsorizimeve, duke synuar rritjen e transparencës dhe qartësimin e përgjegjësive të subjekteve të përfshira. Ai bëri thirrje për mbështetjen e kësaj nisme përtej ndasive politike, duke theksuar se sporti është një e mirë e përbashkët, që meriton vëmendjen dhe angazhimin e të gjitha forcave politike.

Ndërsa, Deputetja dhe kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, znj. Ina Zhupa kundërshtoi projektligjin duke theksuar se nuk kishte të evidentuara efektet financiare.

Ky projektligj u miratua me 81 vota pro, 0 vota kundër dhe 0 abstenim.

Sa i përket projektligjit “Për kontabilitetin në sektorin publik”, nisma synon përmirësimin e sistemit të kontabilitetit dhe raportimit financiar në sektorin publik, standardizimin e praktikave kontabël dhe forcimin e transparencës e llogaridhënies në administrimin e fondeve publike.

Projektligji u miratua me 79 vota pro, 0 vota kundër dhe 0 abstenim.

Më tej, projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar”, parashikon një ndryshim në kuadrin ligjor që rregullon kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit, me synim përmirësimin e dispozitave që lidhen me zbatimin dhe kontrollin e punimeve.

Ky projektligj u miratua me 79 vota pro, 0 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektvendimet e miratuara

Së fundmi, seanca plenare miratoi projektvendimin “Për një shtesë në vendimin nr. 174/2026, “Për miratimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar, ngritur me vendimin nr. 169/2026 të Kuvendit të Shqipërisë, për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë””.

Projektvendimi parashikon një shtesë në përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të ngritur për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, me qëllim vijimin e punës së këtij komisioni.

Ky projektvendim u miratua me 79 vota pro, 0 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektvendimi “Për lirimin e zotit Gentian Sala nga detyra e anëtarit dhe Kryetarit të këshillit drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe ushtrimin e përkohshëm të detyrave dhe kompetencave të Kryetarit”, u miratua me 79 vota Pro, 0 Kundër, 1 abstenim.

Seanca plenare e Kuvendit mbajti një minutë heshtje në nderim të ish-deputetit Ylli Ziçishti, i cili u nda nga jeta ditën e sotme më 26 nëntor 2026.

Seanca i mbylli punimet rreth orës 03:30.

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Raporti i BB: Një krizë globale e turizmit mund t’i kushtojë Shqipërisë 7% të PBB-së

Ekonomia shqiptare mund të pësojë një tkurrje prej rreth 7% në rast të një krize globale të turizmit dhe transportit ndërkombëtar, më shumë se dyfi...

29 minutes më parë 3 Min Lexim

FMN: Pragu prej 5 milionë lekësh i TVSH-së siguron një ekuilibër të përshtatshëm

Për të shtatën herë në tri dekada, Shqipëria po ndryshon pragun e regjistrimit të detyrueshëm në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Nga 2 milionë ...

1 hour më parë 5 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!