
Një incident i rëndë dhune ka tronditur futbollin europian në prag të ndeshjes mes Olimpikut të Marseille dhe Levski Sofjes, e vlefshme për javën e pestë të fazës së ligës në Europa League. Tifozët vendas sulmuan mbështetësit e skuadrës bullgare në stadiumin “Velodrome”, duke lënë 11 persona të plagosur.
Sipas të dhënave të policisë së prefekturës së departamentit francez Bouches-du-Rhône, të publikuara nga televizioni publik belg “RTBF”, pesë prej tifozëve të dëmtuar u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Të plagosurit kanë pësuar dëmtime të ndryshme, përfshirë lëndime në sy dhe në kokë, si dhe raste të zhvendosjes së shpatullës. Ngjarja u regjistrua rreth 10 minuta përpara fillimit të takimit, i cili ishte programuar të niste në orën 18:45.
Sipas portalit francez “Score”, disa dhjetëra tifozë të Marseille u larguan papritur nga tribuna jugore, e njohur si “Virage Sud”, dhe u drejtuan drejt sektorit “Jean Bouin”, ku ndodheshin mbështetësit e skuadrës bullgare.
Aty ata sulmuan fizikisht tifozët miq, duke shkaktuar skena të rënda dhune. Pamjet e përleshjeve u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta.
Veçanërisht shqetësuese është një video ku shfaqet edhe një vajzë, e cila goditet nga huliganët teksa ndodhej në vendngjarje, me shpinën të kthyer nga agresorët.
Ngjarja ka shkaktuar zemërim edhe në Bullgari. Presidentja e vendit, Ilijana Jotova, dënoi sulmin përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve franceze.
“Pamjet nga Marseille janë të tmerrshme”, deklaroi Jotova.
Ajo e cilësoi dhunën të papranueshme dhe u bëri thirrje institucioneve franceze që të zbardhin plotësisht rrethanat e incidentit, të identifikojnë personat përgjegjës dhe t’i ndëshkojnë ata.
Presidentja bullgare iu drejtua gjithashtu UEFA-s, duke kërkuar verifikimin e masave të sigurisë të marra për mbrojtjen e tifozëve të Levski Sofjes në stadiumin “Velodrome”.
