Shpendi vlen të paktën 6 milionë euro, dy klube të Serie A duan transferimin e tij në janar

27 Nëntor 2026
12:01
Alfred Lleshi
back button

Cristian Shpendi po kalon një sezon fantastik me Cesena dhe është kthyer në golashënuesin më të mirë të Serie B, me 12 gola. Tripleta e realizuar në fitoren 5-1 ndaj Ascoli ka shtuar interesimin për sulmuesin shqiptar.

Falë kësaj fitoreje, skuadra e drejtuar nga Alessandro Diamanti është ngjitur në vendin e pestë, në zonën e “play off”-it, pas 5 ndeshjeve radhazi pa humbje, me 13 pikë të grumbulluara. Shpendi ka shënuar në 9 nga 13 ndeshjet e kampionatit.

Në fund të merkatos së verës, ai ishte shumë pranë transferimit te Cremonese për rreth 4 milionë euro, por marrëveshja dështoi. Sot, 23-vjeçari ynë kuqezi vlerësohet të paktën 6 milionë euro dhe mund të largohet që në janar.

Sipas “Tuttosport”, për Shpendin mund të rikthehen në garë dy klube të Serie A: Fiorentina dhe Cagliari, të cilat e kanë ndjekur edhe më parë. Nuk përjashtohet as një ofertë nga jashtë Italisë, pasi sulmuesi ndiqet prej kohësh nga disa klube europiane.

Shpendi iu bashkua Cesena-s në vitin 2019, kur ishte pjesë e ekipit U-17 së bashku me vëllain e tij binjak, Stiven, aktualisht pjesë e Empolit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit