Tech

Huawei shpallet fajtore në SHBA për vjedhje sekretesh tregtare dhe mashtrim bankar!

Gjiganti kinez i teknologjisë Huawei është shpallur fajtor nga një juri federale në Brooklyn të Nju Jorkut për akuza që lidhen me vjedhjen e sekreteve tregtare dhe mashtrimin bankar.

Kompania u shpall fajtore për 10 nga 12 akuzat penale, por u shpall e pafajshme për akuzën më të rëndë, atë të përfshirjes në një organizatë kriminale për vjedhjen e pronësisë intelektuale të kompanive amerikane.

Çështja ndaj Huawei-t është pjesë e një përballjeje disa vjeçare me autoritetet amerikane, të cilat e kanë konsideruar kompaninë një kërcënim për sigurinë kombëtare. Procedimi penal nisi në vitin 2018, ndërsa një vit më vonë administrata amerikane e përfshiu kompaninë në listën e zezë tregtare, duke kufizuar aksesin e saj në teknologjitë amerikane.

Megjithatë, sipas ekspertëve, këto masa nuk kanë arritur të dobësojnë ndjeshëm aktivitetin e kompanisë kineze, e cila ka diversifikuar biznesin dhe është pozicionuar si një prej aktorëve kryesorë në ambiciet e Kinës për zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Huawei ka kundërshtuar vendimin e gjykatës, duke i cilësuar akuzat e mbetura si të pabazuara në aspektin ligjor dhe faktik. Në një reagim të publikuar në faqen zyrtare, kompania mirëpriti rrëzimin e akuzës për organizatë kriminale sipas ligjit RICO dhe deklaroi se vendimi konfirmon mungesën e bazave faktike për këtë pretendim. Kompania bëri të ditur se do të shqyrtojë vendimet e gjykatës dhe do të ndërmarrë “të gjitha veprimet e nevojshme ligjore” për të mbrojtur të drejtat e saj.