Një ish-mësuese e kimisë në Britaninë e Madhe, e shpallur fajtore për abuzim seksual me dy nxënës të mitur, është arrestuar nga policia pasi nuk u paraqit në gjykatë për të mësuar masën e dënimit. Sally-Anne Bowen, 65 vjeçe, duhej të paraqitej përpara gjykatës të premten e kaluar, por vendosi të largohej, duke vënë në lëvizje autoritetet britanike.
Ajo u arrestua po atë ditë, rreth 120 kilometra larg banesës së saj, teksa udhëtonte drejt Winchesterit. Avokati i saj, Mark Kimsey, deklaroi përpara gjykatës se klientja e tij ishte përfshirë nga paniku për shkak të dënimit që e priste.
Sipas tij, 65-vjeçarja po udhëtonte për të vizituar varret e prindërve të saj. Ngjarjet për të cilat Bowen është shpallur fajtore datojnë në vitet ’80, kur ajo punonte si mësuese kimie në një shkollë në veri të Londrës.
Në atë kohë, ajo ishte 25 vjeçe, ndërsa nxënësit e përfshirë në çështje ishin të moshës 14 dhe 15 vjeç. Gjatë procesit gjyqësor, prokuroria argumentoi se mësuesja kishte shfrytëzuar pozitën e saj për të manipuluar dhe abuzuar seksualisht me të miturit.
Njëri prej viktimave dëshmoi se ngjarjet kishin pasur pasoja të rënda në edukimin, vetëvlerësimin dhe marrëdhëniet e tij familjare. Ai i raportoi abuzimet në polici në vitin 2014.
Pavarësisht se Bowen mohoi vazhdimisht akuzat, juria e shpalli fajtore për shtatë akuza të abuzimit seksual. Në dhjetor të vitit 2023, autoritetet britanike i kishin ndaluar gjithashtu ushtrimin e profesionit të mësueses.
Pas arrestimit, 65-vjeçarja pranoi përpara gjykatës se kishte shkelur kushtet e lirimit me kusht. Ajo do të qëndrojë në paraburgim deri më 12 janar, kur pritet të mësojë përfundimisht masën e dënimit për veprat penale të kryera dekada më parë.

