Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. “PËR TY, ATDHE”, KONCERT NË TKOB PËR DITËN E PAVARËSISË

“Për ty, Atdhe” është koncerti festiv që do të mbahet më 28 nëntor, në orën 19:00, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, së bashku me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare nga Maqedonia e Veriut dhe Shoqatën Kulturore “Bashkimi” nga Zvicra, do të sjellin një mbrëmje kushtuar muzikës, valleve dhe trashëgimisë kombëtare.

2. “KRENARIA E KOMBIT NË NGJYRAT E TRADITËS” E KONCERT NË VLORË

“Krenaria e Kombit në Ngjyrat e Traditës” do të organizohet më 28 nëntor, në orën 17:00, në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë. Nxënës nga Tetova do të prezantojnë veshje dhe punime tradicionale shqiptare përmes një sfilate, ndërsa programi do të shoqërohet nga interpretimet e grupit isopolifonik “Djemtë e Bogonicës”. Ndërkohë në Sheshin e Flamurit, do të mbahet një koncert festiv nga  Aurela Gaçe, Era Rusi dhe Offchestra.

3. “SHQIPËRIA IME”, CIRKU KOMBËTAR SJELL SHFAQJEN PËR FËMIJË

“Shqipëria ime” vjen për publikun e vogël më 28 dhe 29 nëntor, në orën 12:30, në Teatrin e Kukullave në Tiranë. Përmes artit të cirkut, humorit dhe momenteve argëtuese, shfaqja synon t'u ofrojë fëmijëve dhe familjeve një fundjavë ndryshe, të mbushur me emocione dhe surpriza.

4. MAX AMINI, KOMEDIANI I NJOHUR ME SHFAQJE HUMORI NË TIRANË

Komediani Max Amini vjen në Tiranë me dy shfaqje më 28 dhe 29 nëntor, në Pallatin e Kongreseve. Spektakli nis në orën 18:00, ndërsa dyert do të hapen në orën 17:00. Publiku do të ketë gjithashtu mundësinë e një takimi personal me artistin përmes biletave “Meet & Greet”. Shfaqja është e përshtatshme për personat mbi 13 vjeç.

5. “CHRISTMAS MARKET BERAT”, TRI DITË KONCERTE DHE FESTIME

“Christmas Market Berat” zhvillohet nga 27 deri më 29 nëntor në Berat, duke sjellë tri mbrëmje me muzikë live dhe artistë të njohur. Në skenë do të ngjiten Aroilda & 3 Diez Band, Ronela Hajati, Urban Band, Kozma Dushi, Fioris Band dhe grupi Lynx.

6.“MEMENTO – 24 KUADRO NË SEKONDË KUNDËR HARRESËS” TE “DRITA”

Projekti “MEMENTO – 24 kuadro në sekondë kundër harresës” prezantohet sonte në orën 19:00, në Kinemanë “Drita”, pranë Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Do të shfaqen dy filma të animuar shqiptarë, “Gjethja” (1986–1988), me regji të Artur Muharremit dhe “Talenti i babait” (1990), me regji të Esperanca Konomit. Filmat do të rikthehen përmes procesit të restaurimit digjital, një kontribut i Eda Zarit dhe Kult360, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Eljan Taninin. Hyrja për publikun do të jetë e lirë.

7. “MBRETI LUAN”, MUZIKALI VIJON SHFAQJET NË TEATRIN E KUKULLAVE

Muzikali “Mbreti Luan” vijon shfaqjet në Teatrin e Kukullave në Tiranë gjatë fundjavës së 28 dhe 29 nëntorit, në oraret 10:30 dhe 18:00. Me regji nga Ina Morinaj, produksioni ndërthur kukullat skenike, muzikën dhe projeksionet imersive. Në shfaqje marrin pjesë 11 aktorë, të cilët sjellin në skenë personazhet e njohura Simba, Pumba, Zazu dhe banorët e tjerë të savanës.