Friday / November 27 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Nga Vendi

Rritje dhe inovacion në një treg që po transformohet

Share Share Icon

Intervistë me Evis Tartale, CEO e Neptun

Me një rritje të xhiros në vitin 2025, duke arritur në rreth 97 milionë euro, Neptun vijon të konsolidojë pozicionin e tij në tregun e pajisjeve elektroshtëpiake dhe elektronikës. Në një sektor që po transformohet nga zhvillimet teknologjike, ndryshimi i sjelljes së konsumatorëve dhe zgjerimi i turizmit e ndërtimit, kompania po përshtat ofertat dhe shërbimet e saj, duke investuar në inovacion dhe në modelin omnichannel. Në këtë intervistë, përfaqësuesi i Neptun flet për ecurinë e tregut, tendencat e reja të konsumit, rolin e inteligjencës artificiale dhe planet e investimeve për të ardhmen.

 

Si ishte viti 2025 për Neptun dhe për tregun në përgjithësi, dhe si po ecën viti 2026 deri tani?

Viti 2025 ka qenë një vit mjaft dinamik për tregun e pajisjeve elektroshtëpiake dhe elektronikës. Në nivel ndërkombëtar kemi vënë re një transformim të rëndësishëm të markave globale, i karakterizuar nga përqendrimi i tregut përmes bashkimeve apo blerjeve (mergers & acquisitions), kryesisht integrimi i kompanive kineze me ato europiane.

Pavarësisht këtyre ndryshimeve thelbësore, Neptun si gjithmonë ka qënë në pararojë të këtyre dinamikave. Ky angazhim është përkthyer në një performancë shumë të mirë financiare, duke shënuar gjatë vitit 2025 një rritje prej 7% të xhiros sonë, e cila arriti në rreth 97 milionë euro.

Për sa i përket vitit 2026, performanca po vijon me të njëjtin ritëm pozitiv dhe novator të vitit të kaluar. Një fokus i veçantë këtë vit është reagimi i shpejtë si ndaj ndryshimeve te tregut ashtu edhe ndaj faktorëve të jashtëm, sidomos ndaj ndryshimeve klimatike, duke sjellë në çdo moment zgjedhje për konsumatorët tanë.

 

Cilët janë faktorët kryesorë që po i japin këtë hov shitjeve? A ndikojnë turizmi apo ndërtimet e reja?

Ka disa motorë që po e nxisin këtë rritje paralelisht, por padyshim ndërtimet e reja dhe zhvillimi i turizmit kanë krijuar një efekt të fortë zinxhir. Nga njëra anë, bumi i pasurive të paluajtshme përkthehet menjëherë në një kërkesë në rritje për blerje të tipit ‘kompleto shtëpinë’. Nga ana tjetër, zgjerimi i turizmit dhe i platformave si Airbnb kanë rritur ndjeshëm kërkesën, veçanërisht në segmentin HORECA. Kemi parë një rritje të investimeve nga individë dhe biznese që synojnë të rrisin standardet e akomodimit, duke e zgjeruar ndjeshëm këtë segment të tregut.

Megjithatë, përtej këtyre zhvillimeve makroekonomike, ka një faktor tjetër thelbësor që bën diferencën në vendimmarrjen e përditshme të blerësve: lehtësitë e financimit. Gjatë këtij viti, falë marrëveshjeve të suksesshme me operatorët bankarë, kemi prezantuar ofertat më të mira të financimit në treg. Duke kombinuar zbritjet e mëdha me mundësinë e blerjeve me 0% interes, ne u kemi dhënë mundësinë familjeve shqiptare që të pajisin shtëpitë e tyre me teknologjinë e fundit që sot, pa cenuar kursimet e tyre dhe pa krijuar ngarkesa të paparashikuara financiare.

A keni vënë re ndonjë ndryshim në mënyrën se si konsumatori shqiptar zgjedh dhe blen sot?

Dinamika e tregut diktohet plotësisht nga një konsumator që ka ndryshuar rrënjësisht. Sot mbizotëron fenomeni i ‘smart buying’. Blerësi është shumë i informuar dhe vjen në dyqan i përgatitur, pasi i ka studiuar dhe krahasuar paraprakisht specifikat në internet. Kjo rrit standardin dhe kërkon që stafi ynë të jetë i përditësuar në kohë reale.

Gjithashtu, rrjetet sociale janë dritarja ku konsumatori njihet me teknologjitë e reja në momentin që dalin. Sfida jonë është që këto inovacione të mbërrijnë menjëherë në Neptun, pasi si lider i tregut jemi adresa e parë ku ato kërkohen.

Së fundmi, theksi ka kaluar nga produkti te shërbimi. Konsumatori kërkon një paketë të plotë që përfshin transportin, instalimin dhe shërbimin e pas-shitjes. Neptun po investon vazhdimisht këtu, me qëllimin e vetëm: një blerje pa stres, ku produkti shkon nga dyqani direkt në shtëpinë e klientit, i gatshëm për përdorim

Cilat janë kategoritë e produkteve që po udhëheqin kërkesën në këtë periudhë?

Në terma volumi, elektroshtëpiaket e mëdha dhe televizorët mbeten shtylla kurrizore e biznesit, si pajisje të pazëvendësueshme në çdo shtëpi. Megjithatë, rritjen më të madhe gjatë 2025-2026 e kanë shënuar ‘pajisjet e mirëqenies’. Produkte që lehtësojnë përditshmërinë si Air Fryer, pastruesit e ajrit apo fshesat robot kanë njohur një hov mbresëlënës prej 100%. Paralelisht, bota e IT-së dhe Gaming ka regjistruar një rritje prej 20%, e ushqyer nga brezi i ri dhe dinamikat moderne të punës.

Një tendencë mjaft interesante është rritja e ekspreseve të kafesë. Që pas pandemisë në 2020, kjo kategori shënon rritje dyshifrore çdo vit. Ky interes i lartë na ka nxitur të sjellim ekskluzivisht marka autentike, siç është prestigjiozja italiane Bialetti, e cila i ofron konsumatorit tonë kurioz jo vetëm aparate, por edhe mishela unike me aroma të veçanta.

Sa peshë ka çmimi sot përballë dëshirës për cilësi apo produkte premium?

Çmimi mbetet padyshim një faktor me peshë për konsumatorin, fakt që reflektohet qartë në interesin e lartë ndaj ofertave tona të përmuajshme. Megjithatë, Neptun ka marrë përsipër një rol edukues në treg. Ne i orientojmë klientët drejt pajisjeve me performancë të lartë dhe jetëgjatësi maksimale, duke theksuar rëndësinë e investimit afatgjatë. Kjo arrihet duke i udhëhequr ata drejt markave më të qëndrueshme dhe inovative të tregut global, si Whirlpool,  Samsung, LG, Bosch, Miele etj të cilat garantojnë pikërisht standardin premium që justifikon çmimin.

 

 

A po ndihet një kthesë e vërtetë te konsumatorët drejt pajisjeve që konsumojnë më pak energji?

Edhe në këtë drejtim, Neptun luan një rol thelbësor edukues. Ne theksojmë vazhdimisht klasin e energjisë në specifikat e produkteve, për t’i bërë të qartë klientit se pajisjet efikase e kthejnë investimin fillestar në afatgjatë përmes uljes së faturës së dritave. Ky orientim është jetik veçanërisht te kondicionerët. Për të garantuar kursim maksimal për një pajisje që qëndron ndezur me orë të tëra, i gjithë portofoli ynë i kondicionerëve ofrohet tashmë me teknologjinë Inverter

Inteligjenca artificiale dhe funksionet smart janë kudo sot. Sa të pranishme janë në atë që blen konsumatori shqiptar?

Sot, rreth 95% e pajisjeve tona janë inteligjente. Integrimi i Inteligjencës Artificiale (AI) është i prekshëm kudo. Për shembull, televizorët e modeleve të fundit me AI njohin preferencat e secilit anëtar të familjes dhe personalizojnë sugjerimet për atë që do të shohë secili.

Në elektroshtëpiake, inovacioni është bërë standard: lavatriçet njohin llojin e pëlhurës për të optimizuar ujin dhe energjinë, furrat rregullojnë automatikisht pjekjen sipas ushqimit, dhe frigoriferët menaxhojnë zona specifike freskie. I gjithë ky ekosistem lidhet dhe komandohet lehtësisht në distancë përmes smartfonit.

AI ka revolucionarizuar edhe pajisjet e vogla. Fshesat robot pastrojnë shtëpinë kur nuk jeni aty, ndërsa ushqyesit inteligjentë (pet feeders) ju lejojnë të kujdeseni për kafshët tuaja në distancë. Pra, AI nuk është thjesht një trend, por po i kthen pajisjet në partnerë të vërtetë dhe të pavarur të shtëpisë.

Si funksionon sot raporti mes dyqanit fizik dhe atij online? A po anon pesha nga dixhitali?

Ne operojmë plotësisht me modelin omnichannel. Kjo do të thotë se klienti mund të krahasojë lehtësisht çmimet nga celulari, të blejë online dhe ta tërheqë produktin në një nga 31 dyqanet tona fizike, duke marrë të njëjtën eksperiencë të shkëlqyer në çdo pikë kontakti. Edhe për sa i përket ofertave dhe komunikimit, gjithçka është plotësisht e unifikuar dhe e njëjtë si në rrjetin fizik, ashtu edhe në atë online.

Ndonëse volumin kryesor vazhdojnë ta mbajnë dyqanet fizike, blerjet në platformën tonë neptun.al po njohin një rritje dyshifrore. Në vlera absolute, Neptun mbetet lider i padiskutueshëm i shitjeve online në sektorin e elektronikës dhe elektroshtëpiakeve, duke kaluar ndjeshëm madje edhe ato biznese që operojnë ekskluzivisht vetëm në formatin dixhital

Cilat janë planet dhe fokusi i Neptun për të ardhmen? Ku do të investoni?

Kjo pyetje lidhet natyrshëm me modelin tonë omnichannel që përmenda pak më parë, i cili mbetet në qendër të strategjisë sonë për të ardhmen.

Fokusi ynë kryesor dhe investimi më i madh i kompanisë – një investim kolosal që shtrihet në nivel ndërkombëtar, në të gjitha shtetet ku Neptun International operon – është përmirësimi i këtij modeli. Qëllimi është të lehtësojmë blerjen në çdo pikë kontakti, duke i ofruar konsumatorit një eksperiencë plotësisht të unifikuar dhe të rrjedhshme, pavarësisht nëse ai blen në dyqan apo online.

Paralelisht, ky transformim i jashtëm do të mbështetet nga investime të vazhdueshme në sistemet e kompanisë për të përshpejtuar proceset operacionale. Pjesë e këtij modernizimi është edhe integrimi i Inteligjencës Artificiale (AI) në të gjitha departamentet, një nismë ku Grupi Balfin vazhdon të investojë fuqishëm për të gjitha kompanitë. Duke e pajisur stafin tonë me këto sisteme qendrore e moderne, ne lehtësojmë ndjeshëm punën e tyre të përditshme. Për klientët tanë, ky efektivitet përkthehet drejtpërdrejt në përgjigje të menjëhershme dhe në një standard shërbimi absolutisht më të lartë.

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Lejet e ndërtimit vetëm nga bashkitë rriten 3.5% sipas sipërfaqes, realisht janë të paktën dyfishuar

INSTAT ka publikuar të dhënat për lejet e ndërtimit, që jepen vetëm nga bashkitë, ndërsa prej të paktën dy vitesh nuk raportohet totali i lejeve të...

1 hour më parë 5 Min Lexim

Ja të gjitha projektligjet e paketës fiskale të miratuara në Kuvend

Në një seancë maratonë që përfundoi rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Paketën Fiskale dhe Buxhetin e Shtetit për...

1 hour më parë 10 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!