Një lajm i trishtë ka prekur komunitetin muzikor në Kosovë. Producenti dhe artisti Ilir Osmani, i njohur në skenë si IlirOs, është ndarë nga jeta në moshën 55-vjeçare.

Lajmi është bërë i ditur nga kolegë dhe artistë, të cilët kanë zgjedhur rrjetet sociale për të shprehur dhimbjen dhe për të kujtuar punën e tij ndër vite.

Mes reagimeve të shumta është edhe ai i kantautorit Genc Salihu, i cili ka publikuar një fotografi të IlirOs në InstaStory, duke e vlerësuar si një prej figurave më të rëndësishme të muzikës kosovare në vitet e fundit.

“Nji prej artistëve ma të randësishëm muzikorë në KS në 2 dekadat e fundit”, shkruan Salihu në mesazhin e tij përkujtimor.

IlirOs ishte një emër i njohur i kulturës urbane në Kosovë, ndërsa puna e tij si artist dhe producent la gjurmë në zhvillimin e skenës muzikore, veçanërisht në rrymën hip-hop.