Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një konferencë të përbashkët me komisioneren europiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Në fjalën e tij, Rama tha se Shqipëria e sheh 2027-ën si vitin e saj në procesin e integrimit në BE, teksa theksoi se qeveria do t’i plotësojë detyrat pikë për pikë.
Ai shtoi se Shqipëria nuk kërkon as dhurata, as mbyllje të syve nga Brukseli.
“Ne kemi një qartësi të plotë për vitin 2027. Komisionerja është shprehur se viti 2027 do të jetë viti i Shqipërisë për Komisionin Evropian. Për ne, çdo vit është viti i Shqipërisë dhe nuk mund të jetë ndryshe.
Ajo që është e sigurt është se ne nuk do të lëmë asgjë mangët nga ana jonë për të përmbushur detyrat që kemi, sepse këtë na e kërkon e ardhmja e fëmijëve tanë dhe e vendit tonë. Jemi të detyruar t’i përmbushim këto detyra pikë për pikë. Jo se na i kërkon ‘zysha’ që kam në krah, por sepse na i kërkon e nesërmja e fëmijëve tanë dhe e vendit tonë
Detyrat që kemi në funksion të anëtarësimit në BE janë njëkohësisht në funksion të modernizimit të Shqipërisë, të përmbylljes së shtetbërjes evropiane dhe të konsolidimit të institucioneve.
Ne nuk kërkojmë asnjë dhuratë, asnjë rrugë të shkurtër dhe as mbyllje sysh. Kërkojmë vetëm të marrim përsipër detyrat tona dhe t’i përmbushim ato në mënyrën më të mirë të mundshme.
Synimi ynë është që në vitin 2027 qytetarët tanë të kenë tarifa të reduktuara të roaming-ut. Ne jemi edhe përdorues aktivë të telefonave. Do të jetë një kursim i madh gjatë vitit 2027, të cilin qytetarët do ta ndiejnë.
E dashur Marta, duke qenë se kjo është konferenca jonë e fundit për këtë vit, dua të të falënderoj për gjithçka që ke bërë për ne dhe për rajonin. Uroj që Viti i Ri të jetë më i miri ndër të gjithë vitet për ty, sepse sa më i mirë të jetë Viti i Ri për ty, aq më i mirë do të jetë edhe për ne, në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, përfundoi Rama.
