Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria mund të jetë shumë pranë përfundimit të negociatave të anëtarësimit në fund të vitit 2027, nëse arrin rezultate konkrete në zbatimin e reformave dhe merr miratimin e vendeve anëtare. Sipas saj, Traktati i Anëtarësimit mund të nënshkruhet në vitin 2028, ndërsa Shqipëria mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.
“Siç mund ta vini re, procesi i zgjerimit po ecën përpara. Ky do të jetë viti më i suksesshëm i zgjerimit në 25 vitet e fundit. Anëtarësimi i fundit në BE ishte ai i Kroacisë, ndërsa tani po i afrohemi përmbylljes së procesit me Malin e Zi. Një nga vendet që ka kontribuar në këtë ecuri është edhe Shqipëria.
Sa u përket udhërrëfyesve, ne kemi deklaruar se Shqipëria mund t’i përmbyllë kapitujt e negociatave, nëse arrin rezultate konkrete në zbatimin e reformave dhe nëse shtetet anëtare japin dritën jeshile. Nëse këto kushte përmbushen, vitin e ardhshëm, rreth kësaj kohe, do të jemi shumë pranë përfundimit të negociatave.
Hapi i mëtejshëm do të jetë krijimi i grupit të punës për Traktatin e Anëtarësimit nga ana e shteteve anëtare, pasi të jetë mbyllur gjysma e kapitujve. Traktati mund të nënshkruhet në vitin 2028.
Gjithçka varet nga vizioni i qeverisë suaj, procesi i ratifikimit dhe, gjithashtu, nga vizioni i qytetarëve. Shqipëria mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030”, tha Kos.
