Mediat prestigjioze i drejtohen SPAK për hetimet për Sazanin dhe Zvërnecin
Interesi i mediave prestigjioze ndërkombëtare për projektet turistike në ishullin e Sazanit dhe transaksionet e pronave në Zvërnec ka mbërritur edhe në dyert e Prokurorisë së Posaçme. The Atlantic, Le Monde, Channel 5 News dhe Le Figaro i kanë drejtuar SPAK-ut kërkesa zyrtare për informacion, intervista dhe dokumente lidhur me çështjet që po hetohen nga ky institucion.
Gazetarja Anila Hoxha ka bërë të ditur se SPAK u është përgjigjur kërkesave të mediave të huaja, por pa dhënë detaje të reja mbi hetimet. Argumenti i Prokurorisë ka qenë se çështjet ndodhen ende në fazën paraprake dhe se informacionet mbi veprimet hetimore dhe rezultatet e tyre mbrohen nga sekreti hetimor.
Një prej kërkesave ka ardhur nga revista amerikane The Atlantic, e cila ka njoftuar se po përgatit një artikull mbi projektet luksoze të parashikuara në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit. Për këtë qëllim, redaksia ka kërkuar mundësinë e zhvillimit të një interviste me një prokuror të SPAK, për të diskutuar mbi veprimtarinë e institucionit, prioritetet në luftën kundër korrupsionit dhe sfidat me të cilat përballet drejtësia shqiptare.
Megjithatë, përgjigjja e Prokurorisë nuk ka hapur rrugë për një intervistë. SPAK ka argumentuar se, për shkak të ngarkesës së punës dhe angazhimeve institucionale, nuk ishte e mundur që takimi të realizohej në atë moment.
Interes të drejtpërdrejtë për hetimin e pronave në zonën e Zvërnecit ka shfaqur edhe e përditshmja franceze Le Monde. Gazeta ka kërkuar një takim me prokurorin që po merret me çështjen, me synimin për të marrë informacion mbi ecurinë e hetimeve dhe zhvillimet e deritanishme.
Në përgjigjen drejtuar redaksisë franceze, SPAK ka bërë të qartë se procedimi ndodhet në fazën e hetimeve paraprake. Për këtë arsye, Prokuroria i është referuar neneve 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, të cilat përcaktojnë kufizimet për publikimin e veprimeve hetimore dhe rezultateve të tyre.
“Përveç informacionit që është publikuar në njoftimin për shtyp, SPAK nuk ka asgjë tjetër për të shtuar në këtë fazë”, thuhet në qëndrimin e institucionit.
Një kërkesë më konkrete i është drejtuar Prokurorisë edhe nga televizioni britanik Channel 5 News. Ky medium ka kërkuar një kopje të redaktuar të aktakuzës prej 200 faqesh, si dhe vendimet për sekuestrimin e pasurive të nxjerra në qershor të vitit 2026, në lidhje me shtetasin A.Sh.
Në komunikimin me SPAK, televizioni ka sqaruar se ishte i gatshëm të merrte dokumente të anonimizuara, duke hequr të dhënat që nuk mund të bëhen publike. Kërkesa mbështetej te legjislacioni shqiptar për të drejtën e informimit, duke marrë parasysh edhe kufizimet ligjore që lidhen me ruajtjen e sekretit hetimor.
Por edhe në këtë rast, Prokuroria nuk ka vënë në dispozicion dokumentacion shtesë, duke ruajtur të njëjtin qëndrim për shkak të konfidencialitetit të hetimeve paraprake.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe përgjigjja për gazetën franceze Le Figaro. Redaksia ka kërkuar të informohet nëse ka pasur zhvillime të reja në hetimin e transaksioneve të tokave në Zvërnec dhe nëse ekziston ndonjë informacion tjetër që mund të publikohet.
Përveç informacionit zyrtar, Le Figaro ka kërkuar edhe mundësinë e një bisede të shkurtër me një përfaqësues të SPAK, qoftë edhe në kushte jozyrtare, jashtë regjistrimit të intervistës. Përgjigjja e Prokurorisë ka qenë sërish se nuk mund të bëhen publike të dhëna të tjera për sa kohë çështja ndodhet në fazën paraprake të hetimit.
Në të katër komunikimet, SPAK ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke iu referuar njoftimit zyrtar të publikuar më 12 qershor 2026. Ky dokument përmban informacionin që Prokuroria ka bërë publik deri më tani lidhur me operacionin dhe masat e marra ndaj personave dhe pasurive që janë pjesë e hetimit.
Njoftimi mbante titullin: “SPAK godet një rrjet të dyshuar ndërkombëtar të trafikimit të kokainës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale; lëshohen urdhër-arreste dhe sekuestro mbi pasuri të shumta”.
Kështu, ndërsa mediat ndërkombëtare kërkojnë të hedhin dritë mbi projektet e Sazanit dhe transaksionet e pronave në Zvërnec, Prokuroria e Posaçme ka zgjedhur të mos japë informacion përtej atij të bërë publik në qershor. Hetimet mbeten në fazën paraprake dhe SPAK nuk ka dhënë detaje të tjera mbi ecurinë e tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



