Franca hyn në recesion teknik pas rishikimit të të dhënave tremujore

Ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës u tkurr me 0.2% në tremujorin e tretë, krahasuar me tremujorin paraardhës, bëri të ditur INSEE, duke rishikuar në ulje vlerësimin fillestar, që parashikonte një tkurrje prej 0.1%.
INSEE rishikoi lehtësisht në ulje edhe të dhënat për tremujorin e dytë, duke raportuar një tkurrje prej 0.02%, nga stagnimi prej 0.0% i raportuar më parë, megjithëse për shkak të rrumbullakimit, treguesi kryesor vijon të rezultojë zero.
Kjo do të thotë se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) ka shënuar rënie në çdo tremujor që nga fundi i vitit të kaluar, duke e futur teknikisht Francën në recesion, të cilin ekonomistët përgjithësisht e përkufizojnë si dy tremujorë radhazi me tkurrje ekonomike.
Performanca më e dobët nga sa pritej në tremujorin e tretë vështirëson detyrën e qeverisë për të vënë nën kontroll deficitin buxhetor, duke e bërë pothuajse të paarritshëm objektivin e rritjes ekonomike vjetore prej 0.5% për këtë vit.
Qeveria e pakicës po përballet me vështirësi për miratimin e buxhetit të vitit 2027, i cili synon të ulë deficitin fiskal nga 5.4% e PBB-së këtë vit në 5.0% vitin e ardhshëm, në një parlament francez thellësisht të përçarë, vetëm pesë muaj përpara zgjedhjeve presidenciale.
“Duhet të miratojmë sa më shpejt një buxhet, me një objektiv të panegociueshëm të deficitit prej 5%. Është e domosdoshme t’u rikthejmë aktorëve ekonomikë qartësinë dhe parashikueshmërinë”, deklaroi ministri i Financave, Roland Lescure, në reagim ndaj raportit të INSEE.
Të dhënat e detajuara të INSEE mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto në tremujorin e tretë treguan se dobësia ekonomike u shkaktua pjesërisht nga stagnimi i kërkesës së brendshme, ku rritja me 0.3% e shpenzimeve konsumatore u neutralizua nga rënia me 0.8% e investimeve të bizneseve.
Rimbushja e inventarëve të bizneseve kontribuoi me 0.3 pikë përqindjeje në rritjen e PBB-së, pasi reduktimi i tyre kishte dhënë një kontribut negativ prej 0.7 pikësh përqindjeje në tremujorin paraardhës.
Tregtia e jashtme ishte një nga faktorët kryesorë që rënduan mbi ekonominë, me një kontribut negativ prej 0.6 pikësh përqindjeje në PBB, pasi eksportet ranë me 1.6%, ndërsa importet u rritën me 0.1%.
Banka e Francës deklaroi më herët gjatë nëntorit se ekonomia pritet të shënojë një rritje “të moderuar” në tremujorin e katërt. / Reuters
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









