Restaurimi i Kalasë së Rozafës nuk do të kufizohet vetëm në muret dhe kullat e saj. Projekti parashikon edhe rikthimin e rrugës historike që lidhte kalanë me Pazarin e Shkodrës, si dhe krijimin e hapësirave për aktivitete kulturore e përmirësimin e infrastrukturës për vizitorët.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka ndarë detaje mbi ecurinë e punimeve në kalanë shekullore, duke bërë të ditur se restaurimi i fasadës së Muzeut të Kështjellës tashmë ka përfunduar.

Ndërhyrjet po vijojnë në muret rrethuese, kullat, kalldrëmet dhe kompleksin e Barbakanit, pjesë e sistemit mbrojtës të kalasë. Sipas ministrit, strukturat historike të zbuluara gjatë punimeve në këtë kompleks do të konservohen.

Projekti synon jo vetëm ruajtjen e monumentit, por edhe rijetëzimin e tij si destinacion turistik dhe kulturor. Krahas restaurimit të rrugës historike, parashikohet ndërtimi i hapësirave të parkimit për automjete dhe autobusë, si dhe krijimi i ambienteve për organizimin e aktiviteteve kulturore.

Investimi financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, nën mbikëqyrjen e specialistëve të trashëgimisë kulturore.