Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se negociatat për shtrirjen e regjimit të roamingut për qytetarët dhe bizneset e Ballkanit Perëndimor, si dhe për qytetarët që vizitojnë vendet e rajonit, kanë nisur në tetor.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisioneren e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, pas samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes (Growth Plan), me temë “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”, të mbajtur në Tiranë, Rama tha se “negociatat kanë nisur në tetor dhe synimi ynë është që 2027-n qytetarët tanë të kenë tarifa të reduktuara të romingut”.
“Ne jemi edhe folës aktiv shumë në telefon. Ndërkohë që, siç e dini, përpara disa vitesh, kur kompania Vodafone publikoi konsumatorët më të mëdhenj të mesazheve ishte përpara daljes së WhatsApp-it, ne ishim njëshat. Kështu që do të jetë një kursim shumë i madh që gjatë 2027-s qytetarët do ta ndjejnë në ndërveprimet e tyre telefonike”, u shpreh Rama.


