I pyetur se përse nuk ka arritur ta bëjë vendin pjesë të BE-së gjatë gjithë 13 viteve, kryeministri Edi Rama nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por e zhvendosi vëmendjen te vendimmarrja e shteteve anëtare dhe pengesat që kanë shoqëruar procesin e integrimit.
Gjatë konferencës së përbashkët me komisioneren europiane për Zgjerimin, Marta Kos, në Tiranë, Rama argumentoi se anëtarësimi në BE nuk funksionon si një proces me një datë të paracaktuar, pasi çdo hap kërkon dakordësinë e të 27 vendeve anëtare.
Rama kujtoi edhe “vitet e poshtërimit”, sipas tij, kur procesi ishte bllokuar nga kundërshtimi i një prej vendeve anëtare.
“Anëtarësimi në BE nuk është si shkollimi, ku ke një datë të përcaktuar. Anëtarësimi në BE nuk ka një datë dhe nuk ka pasur asnjëherë për askënd. Shqipëria ka pasur ato tri vitet e poshtërimit, kur Komisioni Europian certifikonte se ne i kishim bërë detyrat dhe një shtet thoshte jo. Anëtarësimi vjen me shumë të mira të tjera, por ndërkohë alternativa jonë e vetme është të vazhdojmë të punojmë dhe, duke kryer detyrat, të përmirësojmë gjithçka që lidhet me shtetin. Është një proces dinamik. Të kërkosh një datë do të thotë të mos kuptosh se si funksionon procesi. Datat mund të vendosen si objektiva, por mund të lëvizin, sepse janë 27 vende që duhet të bien dakord për çdo hap. Nëse ne kemi bërë diçka unike, duke hapur të gjithë kapitujt në një kohë rekord në historinë e integrimit në BE, kjo ka ardhur si rezultat i faktit që ne kemi bërë detyrën. Por edhe të 27 vendet kanë qenë gati të thonë se detyra është kryer. Për herë të parë në gjithë këto vite, në progresraport është shfaqur një togfjalësh për fillimin e përgatitjes së traktatit të anëtarësimit vitin e ardhshëm. Jemi më afër se asnjëherë, por çdo ditë duhet të punojmë sikur të jemi më larg se asnjëherë”, deklaroi Rama.












