Ministri Demo takim me drejtuesen e EUDA-s: Bashkëpunim europian për të goditur trafikun e drogës

27 Nëntor 2026 | 13:27

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo ka zhvilluar këtë të premte një takim me Drejtoreshën Ekzekutive të Agjencisë së Bashkimit Europian për Drogat (EUDA), Dr. Lorraine Nolan. Në takim morën pjesë edhe Cecile Martel, Drejtuese e Sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të EUDA-s, dhe Robert Lagemann, ekspert i jashtëm i deleguar nga Ministria Federale e Brendshme e Gjermanisë.

Në qendër të takimit ishte identifikimi në kohë i rreziqeve nga substancat e reja psikoaktive dhe forcimi i kapaciteteve për luftën kundër trafikimit të drogës.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit dhe të asistencës teknike, me synim që ekspertiza europiane të ndihmojë institucionet shqiptare të identifikojnë më shpejt kërcënimet e reja dhe të orientohen më mirë në veprimet kundër tregut të paligjshëm të drogës.

Një nga përparësitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme është forcimi i Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm. Mbështetja e EUDA-s mund të përmirësojë procedurat për identifikimin, vlerësimin dhe njoftimin në kohë të rreziqeve që lidhen me substancat e reja psikoaktive.

Gjatë viteve 2025-2026, sistemi kombëtar ka përpunuar rreth 120 njoftime të EUDA-s dhe ka kontribuar në identifikimin, për herë të parë në Shqipëri, të tri substancave të reja psikoaktive.

Forcimi i këtij mekanizmi synon t’u mundësojë strukturave përgjegjëse të reagojnë më herët ndaj rreziqeve që këto substanca paraqesin për qytetarët. Në takim u trajtua edhe shkëmbimi i analizave mbi tregjet europiane të drogës dhe prirjet e trafikimit.

Kjo ekspertizë do të ndihmojë Ministrinë dhe Policinë e Shtetit të përcaktojnë më mirë përparësitë dhe masat për reduktimin e ofertës së drogës.

Pjesë e diskutimeve ishin gjithashtu trajnimet dhe përdorimi i metodologjive të EUDA-s për përmirësimin e cilësisë dhe krahasueshmërisë së të dhënave kombëtare, në koordinim me Observatorin Kombëtar të Drogave.

Këto fusha bashkëpunimi lidhen edhe me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 24, “Drejtësia, liria dhe siguria”, dhe të Agjendës Kombëtare të Reformave.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kos: Traktati i anëtarësimit mund të nënshkruhet në 2028-ën! Rama: S’ka datë fikse, ne do të bëjmë detyrat

E pyetur nga gazetari i Euronews Albania, Ardit Hoxha mbi një datë konkrete për përmbylljen e pritjes mbi 3 dekada të shqiptarëve për tu anëtarëduar...
13:13 | 27/11/2026

Shiroka Pula takon Begajn në Ohër: Asgjë nuk i ndan Kosovën dhe Shqipërinë

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, është takuar me homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj, në Ohër. Takimi është zhvilluar në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni,...
12:53 | 27/11/2026

“2027-a, viti i Shqipërisë”, Rama: Nuk kërkojmë rrugë të shkurtra, por të përmbushim detyrat në maksimum

Kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria shqiptare ka një vizion të qartë për vitin 2027, duke e cilësuar përmbushjen e detyrave të integrimit europian...
12:44 | 27/11/2026