Studentët serbë mund të garojnë në zgjedhjet presidenciale të 27 dhjetorit me një kandidat që kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe mbështet ruajtjen e marrëdhënieve me Rusinë. Bëhet fjalë për Radomir Saiçiçin, profesor në Fakultetin e Kimisë në Beograd dhe një nga themeluesit e Listës Studentore, e cila fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit.
Sipas mediave serbe dhe atyre të rajonit, Saiçiç ka siguruar mbështetjen e deputetëve të Listës Studentore për kandidaturën presidenciale.
Profesori ishte ndër akademikët që u angazhuan hapur gjatë protestave studentore dhe një nga 14 themeluesit e grupimit “Lista Studentore – Studentët fitojnë”. Ishte pikërisht ai që, natën e zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, shpalli nga selia e listës fitoren ndaj Aleksandar Vuçiçit.
Por çfarë qëndrimi mban Saiçiç ndaj Kosovës?
Gjatë një paraqitjeje në televizionin publik serb, RTS, profesori e ka cilësuar Kosovën si “territor përkohësisht të pushtuar”, ndërsa kufirin ndërkombëtarisht të njohur ndërmjet Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës e ka përshkruar si “fiktiv dhe gjeometrik”. Saiçiq është shprehur gjithashtu në favor të ruajtjes së marrëdhënieve me Moskën, duke pretenduar se Rusia e mbron integritetin territorial të Serbisë më shumë sesa vetë pushteti në Beograd.
Kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës karakterizon edhe qëndrimet e disa prej pretendentëve të tjerë për presidencën serbe.
Sipas gazetës serbe “Danas”, Branko Pavloviç, Bogolub Kariç dhe Branimir Nestoroviç kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale. Pavloviç kundërshton si njohjen e Kosovës, ashtu edhe anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian, ndërsa mbështet anëtarësimin në BRICS.
Partia Progresiste Serbe e Vuçiçit ende nuk ka vendosur për pjesëmarrjen në zgjedhje, ndërsa si kandidatë të mundshëm përmenden edhe ish-ministrat Ivica Daçiç dhe Aleksandar Vulin, të dy figura të pushtetit të mëparshëm dhe kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës.
Vulin e ka lidhur kandidaturën e mundshme me konceptin e “Botës Serbe”.
“Dua të besoj se çdo president i ardhshëm do të jetë president i ‘Botës Serbe’”, deklaroi ai
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, vlerësoi për të përditshmen Telegrafi se programi i Listës Studentore ruan orientimet kryesore të politikës së jashtme të pushtetit të mëparshëm.
Sipas tij, lista kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, ndërsa mbeten pikëpyetje mbi zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit.
Neutraliteti ushtarak, mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë dhe partneriteti strategjik me Kinën janë gjithashtu pjesë e orientimit të Listës Studentore, ndërsa Bashkimi Europian, sipas Fetoshit, shihet kryesisht si partner ekonomik dhe burim investimesh.
Për këto arsye, Fetoshi argumenton se ndryshimi i pushtetit në Beograd nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe ndryshimin e politikës serbe ndaj Kosovës dhe rajonit.










Komente
Komento