SPAK sjell prova të reja në gjyqin me të pandehur Dritan Rexhepin dhe 6 të tjerë, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Gjykata e Posaçme vendosi t’i pranojë këto prova, që përfshijnë biseda nga aplikacioni Sky ECC, komunikime mes Dritan Rexhepit, Gentian Funiqit, Altin Hajrit dhe Geraldo Martinit.

SPAK deklaroi në gjyq se të pandehurit janë identifikuar përmes kodeve duke komunikuar me njëri tjetrin për ngarkesën e drogës dhe për rrëmbimin e Jan Prengës. Sipas SPAK, të pandehurit flasin me njëri tjetrin në vitin 2020 për rrëmbimin dhe ka mesazhe që i janë dërguar vëllait të Prengës që ndodhej në burg. 

Sipas organit të akuzës është folur edhe për mundësinë e rrëmbimit të babait të Ndrek Prengës, por kanë rrëmbyer Jan Prengën (vëllanë). Gentian Funiqi ka komunikuar që çështja të hiqej nga SPAK dhe të ndiqej nga një prokurori e zakonshme.

Sipas SPAK, bisedat tregojnë që jo vetëm janë të përfshirë në ngjarje, por flasin edhe për motivet, vjedhjen e sasisë së drogës. Mbrojtja e Dritan Rexhepit kërkon komunikimet konkrete të dala nga Sky Ecc.

SPAK rendit bisedat mes të pandehurve dhe vitet kur janë kryer. Altin Hajri komunikon me Gentian Funiqin nga data 2-4 prill 2020 për Festim Bexhdilin.

Altin Hajri: “ishalla ti mbushim mendjen, do përgatit pak ai”.

Të pandehurit vijon SPAK, flasin edhe për ngarkesën e drogës në Ekuador. Spak citon komunikimin në korrik 2020: “Të japim noj lek ta heqim nga SPAK-u. Mësoje Festimin të thotë kam qenë i stresuar dhe kam folur nga frika”- orientonin se çfarë duhet të deklaronte Festim Bexhdili.

Gentian Funiqi komunikon me Dritan Rexhepin dhe përmend Ndrek Prengën, të cilin kërkojnë ta mbajnë nën vëzhgim. Në 30 janar 2021 Dritan Rexhepi komunikon “paskan dalë ata çunat që zunë për pengun, kanë mbajtur brenda vetëm atë që kishte fol pak”. Komunikimet për drogën vijojnë edhe në një episod që ishte lagur me ujë deti dhe kërkohej zgjidhje.

Në seancën e radhës 11 dhjetor ora 10:00 mbrojtja do të bëjë analizën e provave të sjella nga SPAK. Po ashtu gjykata urdhëroi të njoftohet për procesin gjyqësor Korado Keshtenja, i cili është i arrestuar dhe ndodhet në Londër.

lajm ne perditesim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë