Gjykata e Posaçme ka pranuar provat e paraqitura nga SPAK në procesin gjyqësor ndaj Dritan Rexhepit dhe 6 të pandehurve të tjerë, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.
Provat e pranuara përfshijnë komunikime përmes aplikacionit Sky ECC mes Dritan Rexhepit, Gentian Funiqit, Altin Hajrit dhe Geraldo Martinit.
Sipas SPAK, të pandehurit janë identifikuar përmes kodeve me të cilat komunikonin për ngarkesën e drogës dhe rrëmbimin e Jan Prengës. Organi i akuzës pretendon se në vitin 2020 ata kanë shkëmbyer mesazhe lidhur me organizimin e rrëmbimit, ndërsa disa prej komunikimeve i janë dërguar edhe vëllait të Jan Prengës, i cili në atë kohë ndodhej në burg.
Sipas SPAK, në biseda është diskutuar edhe mundësia e rrëmbimit të babait të Ndrek Prengës, por në fund objektiv i rrëmbimit u bë Jan Prenga, vëllai i tij.
Në seancën e radhës, të caktuar më 11 dhjetor, në orën 10:00, mbrojtja do të paraqesë analizën e saj mbi provat e administruara nga SPAK.
Po ashtu, gjykata urdhëroi njoftimin për procesin gjyqësor të Korado Keshtenjas, i cili është i arrestuar dhe ndodhet në Londër.


