Një sasi lënde plasëse e dyshuar si tritol është gjetur e pashpërthyer mbrëmjen e së enjtes në portën e jashtme të banesës së shtetasit Emiljan Gjonaj, në lagjen “Mark Lula” të Shkodrës. Pas njoftimit, shërbimet e policisë rrethuan zonën për të garantuar sigurinë e banorëve, ndërsa në vendngjarje ndërhynë ekspertët xhenierë për çaktivizimin dhe largimin e lëndës plasëse, duke shmangur pasojat e mundshme. Sipas të dhënave paraprake, Emiljan Gjonaj merret me ndërtim dhe aktualisht po ndërton një pallat në lagjen “Mark Lula”. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve, ndërsa pista kryesore e hetimit lidhet pikërisht me aktivitetin e tij të ndërtimit dhe vendosjen e eksplozivit si formë kërcënimi.