Platforma X prezanton kontrollin prindëror për adoleshentët

Platforma sociale X ka prezantuar funksionin e kontrollit prindëror për përdoruesit e moshës 13 deri në 17 vjeç. Përmes tij, prindërit dhe kujdestarët do të mund të kufizojnë kohën që adoleshentët kalojnë në platformë, të miratojnë ndjekësit e rinj dhe të përcaktojnë se kush mund t'u dërgojë mesazhe.
Megjithatë, prindërit nuk do të kenë mundësi t'i lexojnë mesazhet private të fëmijëve të tyre.
Funksionet e reja janë njoftuar përmes profilit zyrtar të sigurisë së X. Llogaritë e adoleshentëve do të kalojnë automatikisht në një regjim të mbrojtur, ku kufizohet përmbajtja e ndjeshme dhe bllokohen reklamat e personalizuara.
Përveç këtyre cilësimeve automatike, prindërit mund të aktivizojnë edhe mjete të tjera kontrolli. Ata do të mund të shohin se sa kohë kalojnë adoleshentët në platformë dhe të vendosin një kufi ditor për përdorimin e saj.
Gjithashtu, mund të kërkojnë miratimin e tyre për çdo ndjekës të ri, si dhe të kufizojnë rekomandimet në seksionin "For You", në mënyrë që aty të shfaqen vetëm llogaritë që adoleshenti tashmë i ndjek.

Prindërit do të kenë mundësi të filtrojnë fjalë të caktuara, të çaktivizojnë përmbajtjen e ndjeshme dhe të përcaktojnë se kush mund t'u dërgojë mesazhe private adoleshentëve.
Ata gjithashtu do të mund të shohin me cilat llogari kanë komunikuar fëmijët e tyre përmes mesazheve private, por jo përmbajtjen e bisedave.
Sipas X, prindërit dhe kujdestarët nuk do të mund të lexojnë mesazhet private, të shohin çfarë kërkojnë apo shikojnë adoleshentët në platformë, të publikojnë përmbajtje në emër të tyre ose të kenë qasje të drejtpërdrejtë në llogaritë e tyre.
Lidhja mes llogarisë së prindit dhe asaj të adoleshentit bëhet duke ndjekur udhëzimet në qendrën e ndihmës së X. Për këtë kërkohet pëlqimi i të dyja palëve. Një prind mund të mbikëqyrë deri në pesë llogari të adoleshentëve.
Kompania thekson se platforma nuk është e destinuar për fëmijët dhe se përdoruesit duhet të jenë të paktën 13 vjeç, ose më të rritur në vendet ku këtë e kërkon ligji.
Deri më tani, X ofronte vetëm kontroll të kufizuar mbi përmbajtjen me video për përdoruesit nën 16 vjeç. Për këtë, prindërit duhej të plotësonin një formular dhe të dorëzonin dokumente, si certifikata e lindjes. /Telegrafi/


































