Ali Ahmeti viziton Odën Kërçovare në Zvicër: Një vatër ku kultivohen gjuha dhe traditat shqiptare

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka vizituar Odën Kërçovare në Zvicër, ku ka vlerësuar angazhimin e diasporës shqiptare në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave kombëtare.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti e ka cilësuar Odën Kërçovare si një vatër ku kultivohen vlerat shqiptare dhe ku trashëgimia kulturore përcillet nga njëri brez te tjetri, shkruan Telegrafi.
“Mbrëmë pata kënaqësinë të vizitoj Odën Kërçovare në Zvicër, një vatër ku kultivohen dhe ruhen kultura, gjuha dhe traditat tona të mirëfillta shqiptare”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka theksuar rëndësinë e kësaj ode në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar në diasporë, duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kontribuojnë në këtë drejtim.
“Në këtë odë të vlerave kombëtare, ruhet me përkushtim identiteti ynë shqiptar dhe përcillet brez pas brezi trashëgimia jonë kulturore”, ka shtuar ai.
Ahmeti ka shprehur urimin që angazhimi dhe përpjekjet e pjesëtarëve të diasporës për ruajtjen e këtyre vlerave të vazhdojnë, duke nënvizuar se kjo është një përgjegjësi e përbashkët.
“Ruajtja e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit tonë kombëtar është përgjegjësi e përbashkët”, ka përfunduar Ahmeti. /Telegrafi/



































