
Policia e Vlorës ka njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit dhe ndalim të parkimit të automjeteve në disa akse rrugore të qytetit, në kuadër të masave për mbarëvajtjen e aktiviteteve festive me rastin e 28 dhe 29 Nëntorit.
Sipas njoftimit të policisë, kufizimet do të nisin në orën 22:00 të ditës së sotme dhe do të vijojnë deri në përfundim të aktiviteteve.
Ndalimi i parkimit do të zbatohet në aksin nga rrethrrotullimi drejt sheshit “Omonia”, Shkollës së Muzikës, kryqëzimit të Menës dhe rrugës për te “Hollidej”, në të dyja anët e rrugës.
Kufizime do të ketë edhe në segmentin nga kryqëzimi që vjen nga “Hollidej”, pranë agjencisë “Ruci”, deri te kryqëzimi i Kapeles, ku parkimi do të ndalohet në krahun e djathtë. Ndalimi do të përfshijë gjithashtu aksin nga zona e L-së deri te kryqëzimi i Grevës.
Shërbimet e Policisë do të jenë të angazhuara në terren për menaxhimin e trafikut, orientimin e drejtuesve të automjeteve dhe garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të aktiviteteve.
Policia u bën apel qytetarëve të shmangin parkimin në akset e përcaktuara dhe të zbatojnë udhëzimet e efektivëve.