E premte, 27 nëntor 2026 · Tiranë Facebook
Kronikë

Dosjet e call center-ave peng në SPAK, vetëm 4 çështje në gjykatë; njerëzit e Amant Josifit nisin të lirohen

SPAK ka regjistruar 18 çështje penale për mashtrimet kompjuterike gjatë periudhës 2024–2026, por vetëm katër janë dërguar në gjykatë, ndërsa 14 mbeten në hetim. Përballë një industrie që shkakton miliona euro dëme financiare, bilanci i drejtësisë shqiptare mbetet i kufizuar. Ndërsa Amant Josifi vijon të qëndrojë në Dubai, Gjykata e Posaçme ka nisur të zbusë masat e sigurisë ndaj njerëzve të tij…

Përballë një industrie mashtrimi që shtrin aktivitetin përtej kufijve të Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar vetëm 18 çështje penale në periudhën 2024–2026.

Miliona euro të zhvatura nga qytetarët europianë, operacione ndërkombëtare, qindra kompjuterë të sekuestruar dhe dhjetëra persona të arrestuar, por vetëm katër dosje të dërguara në gjykatë nga Prokuroria e Posaçme.

SPAK publikoi sot në Programin e Transparencës bilancin e hetimeve për mashtrimet kompjuterike, duke nxjerrë në pah numrin e kufizuar të çështjeve që kanë kaluar nga faza e hetimit në atë të gjykimit.

Për periudhën 2024–2026, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar 18 çështje penale për veprat e parashikuara nga neni 143/b i Kodit Penal. Gjatë së njëjtës periudhë janë dërguar në gjykatë vetëm katër çështje me 31 të pandehur, të gjithë me masa sigurimi.

Tri çështje janë pezulluar, një është transferuar, ndërsa 14 çështje me 22 persona nën hetim vijojnë të mbeten në SPAK.

Në nëntor të vitit 2022, vetë SPAK bëri publik një vlerësim të dëmit financiar nga mashtrimet përmes call center-ave, që arrinte në rreth 50 milionë euro çdo tre muaj, ose 200 milionë euro në vit. Katër vjet më vonë, bilanci i ndjekjes penale vijon të mbetet i kufizuar.

Ndërkohë që hetimet në Shqipëri zvarriten, autoritetet gjermane, italiane, spanjolle dhe austriake kanë zhvilluar hetime për rrjetet e mashtrimit financiar që operojnë nga Tirana, me viktima qytetarët europianë.

Vetëm më 14 prill 2026, në kuadër të operacionit “Ghost Call”, Policia e Shtetit sekuestroi 891.735 euro cash, 443 kompjuterë, 238 telefona celularë dhe pajisje të tjera elektronike. Operacioni u zhvillua pas një hetimi dyvjeçar, në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europolit, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Dy ditë më vonë, më 16 prill, SPAK njoftoi dërgimin në gjykatë të tetë personave për mashtrimin e shtetasve gjermanë përmes një call center-i në Tiranë. Në këtë dosje është dokumentuar një dëm financiar prej 363.501 eurosh ndaj 14 qytetarëve gjermanë.

Edhe operacioni i janarit 2026, në dy prej kullave në qendër të Tiranës, erdhi pas investigimit të gazetarëve italianë të emisionit “Le Iene”, të cilët dorëzuan materialet e mbledhura pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Rasti i Amant Josifit

Problemi i hetimeve ndaj industrisë së call center-ave nuk qëndron vetëm te numri i vogël i dosjeve që SPAK ka dërguar në gjykatë, por edhe te hierarkia e personave që janë përballur me drejtësinë.

Në një sërë operacionesh të zhvilluara nga Policia e Shtetit, SPAK dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë arrestuar operatorë, menaxherë dhe punonjës të call center-ave. Janë sekuestruar kompjuterë, serverë, telefona dhe para cash, por goditja e organizatorëve dhe përfituesve kryesorë financiarë të këtyre rrjeteve mbetet çështja qendrore.

Rasti më domethënës është ai i Amant Josifit, emri i të cilit doli në hetimet ndërkombëtare për mashtrimin e qytetarëve europianë përmes platformave të investimeve online.

Ish-këshilltari i Olta Xhaçkës në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ish-ortaku në biznes i Olsi Ramës u vu në shënjestër të drejtësisë spanjolle për një skemë mashtrimi financiar me shtrirje në disa shtete.

Për të dokumentuar lidhjet ndërmjet call center-ave në Shqipëri dhe platformave mashtruese të investimeve, hetuesit spanjollë analizuan rreth 3 milionë email-e. Hetimet identifikuan gjashtë qendra telefonike në Shqipëri, të lidhura me rrjetin ndërkombëtar “Milton Group”, dhe 24 platforma mashtruese investimesh.

Në nëntor të vitit 2022, SPAK mori pjesë në operacionin ndërkombëtar kundër këtij rrjeti, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol. Por urdhri ndërkombëtar i arrestit për Amant Josifin nuk u lëshua nga drejtësia shqiptare, por nga ajo spanjolle.

Vetë Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar se nuk kishte nxjerrë urdhër kërkimi ndërkombëtar ndaj Josifit dhe se veprimet hetimore ndaj tij po ndiqeshin nga autoritetet gjyqësore spanjolle.

Ai u arrestua në Dubai tre vjet më parë, por vijon të qëndrojë atje. Arrestimi ndodhi për llogari të drejtësisë spanjolle, por Josifi ende nuk është përballur me drejtësinë.

Nga ana tjetër, pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme ndryshoi masën e sigurisë për Merxhan Çelikun, 32-vjeçarin e akuzuar si pjesë e grupit të Josifit, duke e nxjerrë nga qelia. Ai do të qëndrojë në arrest shtëpie.

Vendimi u mor nga gjyqtari Erjon Çela, i cili pranoi kërkesën e Çelikut për ndryshimin e masës së sigurisë, të caktuar në mungesë në nëntor të vitit 2022. I riu u arrestua në Abu Dhabi pas dy vjetësh në arrati dhe më pas u ekstradua drejt Shqipërisë.

Pra, duket se zbërthimi i rrjeteve të call center-ave nuk është pika më e fortë e SPAK-ut. /Pamfleti

Të fundit

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *