Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka publikuar një pjesë nga përgjimet ambientale të kryera ndaj Meridian Sulajt, Avdul Sulajt dhe Klardi Sulajt, pjesë e grupit “Habilaj”.

Në këtë përgjim, ata dëgjohen duke folur për “Audit” që Saimir Tahiri i ka shitur Artan Habilajt. Por në këtë përgjim, ata dëgjohen duke thënë se Tahiri është kryeministër, fakt me të cilin ish-ministri bën ironi, duke thënë se “grupi i tij e njihte aq mirë, sa e dinte se ishte kryeministër”.

“Sa mirë mund ta njohësh partnerin… në krim? Mua, për shembull, grupi im kriminal më kishte emëruar kryeministër, promovim që e mora vesh vetëm nga përgjimet…”, shkruan Tahiri.

Pjesë nga përgjimet e publikuara:

Maridian Sulaj: Presidenti e ka 01, 02 e ka kryeministri, 03 është Audi që ka Artani, që e kishte ai kushëriri ynë.

Avdul Sulaj: Ëëë

Meridian Sulaj: Vetëm ata.

Avdul Sulaj: Po mirë, ata kanë tagra të veçanta.

Meridian Sulaj: Ëëë, targa të veçanta… 03 e ka Artani, që ia dha ai…

Klardi Sulaj: Kush Artan?

Meridian Sulaj: Ishte i kushëririt tonë, ai kryeministri, o vëlla… Ça është ai…

Avdul Sulaj: Saimiri.

Meridian Sulaj: Saimir Tahiri. 01 e ka presidenti, 02 e ka kryeministri, 03 e ka Saimiri.

Klardi Sulaj: Është ministër i Brendshëm.

I paidentifikuar: Targat e shtetit, kur shiten, u hiqet targa.

Meridian Sulaj: Ore, ai ia ka dhënë me gjithë dokumentet Artanit… I hiqet, thotë.

Kujtojmë se Tahiri ka paralajmëruar se prej disa kohësh është duke punuar për një dokumentar, ku do të sjellë të gjithë historinë e tij, nga politika te burgosja.