Policia e Vlorës njofton kufizime të përkohshme të qarkullimit dhe ndalim të parkimit në disa akse të qytetit, si pjesë e masave për mbarëvajtjen e aktiviteteve festive me rastin e 28 dhe 29 Nëntorit. Sipas njoftimit, masat do të nisin prej orës 22:00 të ditës së sotme dhe do të jenë në fuqi deri në përfundim të aktiviteteve festive.
Kufizimet përfshijnë një sërë akse rrugore që do të kenë ndalime të ndryshme për parkimin e automjeteve. Në segmentin që përfshin rrethrrotullimin, sheshin “Omonia”, shkollën e muzikës, kryqëzimin e Menës dhe rrugën për te “Hollidej”, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në të dyja anët e rrugës. Në kryqëzimin që vjen nga “Hollidej” drejt agjencisë “Ruci” e më pas drejt kryqëzimit të Kapeles, parkimi do të ndalohet në krahun e djathtë të rrugës.
Përveç këtyre, aksi rrugor nga zona e L-së deri te kryqëzimi i Grevës do të jetë pa leje për parkim të automjeteve gjatë kohës së zbatimit të masave. Njoftimi sqaron se këto kufizime dhe ndalime vlejnë për të gjithë drejtuesit e automjeteve në zonat e përmendura dhe qëllimi është të sigurohet rrjedhshmëria dhe siguria gjatë zhvillimit të programeve festive.
Shërbimet e Policisë do të jenë të pranishme dhe të angazhuara në terren për menaxhimin e trafikut, orientimin e drejtuesve të automjeteve dhe garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të aktiviteteve. Stafi policor do të japë udhëzime për ndërrimin e itinerareve dhe për vendet e rezervuara jashtë akseve të ndaluara për parkim, për të lehtësuar qarkullimin dhe për të shmangur bllokimet.
Policia e Vlorës u bën apel qytetarëve që të mirëkuptojnë masat e marra, të shmangin parkimin në akset e përcaktuara dhe të zbatojnë udhëzimet e punonjësve të Policisë, në mënyrë që aktivitetet festive të zhvillohen në kushte të sigurta dhe të organizuara.

