Prokuroria e Posaçme ka paraqitur prova të reja në procesin gjyqësor ndaj Dritan Rexhepit dhe gjashtë të pandehurve të tjerë, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Gjykata e Posaçme ka vendosur t'i pranojë provat, të cilat përfshijnë komunikime të shkëmbyera përmes aplikacionit të koduar Sky ECC mes Dritan Rexhepit, Gentian Funiqit, Altin Hajrit dhe Geraldo Martinit.
Gjatë seancës, SPAK deklaroi se të pandehurit diskutonin për ngarkesën e drogës dhe rrëmbimin e Jan Prengës.
Sipas organit të akuzës, në komunikimet e vitit 2020 flitet për organizimin e rrëmbimit, ndërsa përmenden edhe mesazhe që i janë dërguar vëllait të Jan Prengës, i cili në atë kohë ndodhej në burg. SPAK bëri me dije se në biseda është diskutuar fillimisht edhe mundësia e rrëmbimit të babait, por në fund është marrë peng Jan Prenga.
Një tjetër element i paraqitur nga SPAK lidhet me përpjekjet për të nxjerrë çështjen nga kompetenca e Prokurorisë së Posaçme. Sipas akuzës, Gentian Funiqi ka komunikuar për mundësinë që çështja të hiqej nga SPAK dhe të ndiqej nga një prokurori e zakonshme. Bisedat, sipas prokurorisë, tregojnë jo vetëm përfshirjen e të pandehurve në ngjarje, por edhe diskutimet mbi motivet, të lidhura me vjedhjen e një sasie droge.
SPAK ka renditur në seancë edhe disa prej komunikimeve konkrete dhe periudhat kur ato janë shkëmbyer.
Në datat 2-4 prill 2020, Altin Hajri komunikon me Gentian Funiqin për Festim Bexhdilin. Në një prej mesazheve, Hajri shprehet: “Ishallah ti mbushim mendjen, do përgatit pak ai”.
Ndërsa në korrik të vitit 2020, sipas SPAK, në biseda diskutohet mundësia për të ndikuar në ecurinë e hetimeve dhe për të orientuar deklarimet e Festim Bexhdilit. Në një prej komunikimeve citohet: “Të japim noj lek ta heqim nga SPAK-u. Mësoje Festimin të thotë kam qenë i stresuar dhe kam folur nga frika”.
Në komunikimet mes Gentian Funiqit dhe Dritan Rexhepit përmendet edhe Ndrek Prenga, për të cilin, sipas SPAK, diskutohet që të mbahet nën vëzhgim.
Një tjetër bisedë e rëndësishme daton më 30 janar 2021. Dritan Rexhepi shkruan: “Paskan dalë ata çunat që zunë për pengun, kanë mbajtur brenda vetëm atë që kishte fol pak”.
Ndërkohë, sipas SPAK, komunikimet mes të pandehurve për çështjen e drogës vijojnë edhe në një episod tjetër, ku diskutohet për një ngarkesë që ishte lagur me ujë deti dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë problem.
Nga ana tjetër, mbrojtja e Dritan Rexhepit ka kërkuar që të vihen në dispozicion komunikimet konkrete të nxjerra nga aplikacioni Sky ECC.
Në seancën e radhës, të planifikuar më 11 dhjetor, në orën 10:00, mbrojtja do të paraqesë analizën e saj mbi provat e administruara nga SPAK.
Po ashtu, Gjykata e Posaçme ka urdhëruar njoftimin për procesin gjyqësor të Korado Keshtenjas, i cili është i arrestuar dhe ndodhet në Londër, informon gazetari i Syrit, Fatjon Gjinaj.
© SYRI.net