
Radomir Saiçiq, kandidati i Listës Studentore për president të Serbisë, e konsideron Kosovën “territor të pushtuar përkohësisht”. Sipas tij, ajo është pjesë e pandashme e territorit serb, bazuar në Kushtetutën e Serbisë.
Saiçiq, profesor në Fakultetin e Kimisë në Beograd dhe anëtar i rregullt i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), u zyrtarizua sot si kandidat i kësaj liste për zgjedhjet presidenciale të 27 dhjetorit.
Qëndrimet e tij për Kosovën, Republikën Srpska dhe Rusinë kanë tërhequr vëmendje gjatë fushatës. Në një intervistë për emisionin “Oko” të RTS-së, kandidati për president të Serbisë përsëriti pretendimet e njohura të Beogradit për Kosovën.
“Kosova dhe Metohija janë, sipas Kushtetutës, pjesë e pandashme e territorit tonë. Ky është fakt dhe kështu do të mbetet. Për mua, është territor i pushtuar përkohësisht”, ishte shprehur Saiçiq.
Ai ka mbështetur gjithashtu ruajtjen e marrëdhënieve të ngushta me Moskën. Sipas tij, Rusia mbron integritetin territorial të Serbisë më shumë sesa vetë qeveria në Beograd.
Saiçiq ishte ndër profesorët universitarë që u angazhuan në zhvillimet politike dhe shoqërore gjatë protestave studentore në Serbi. Është një nga 14 themeluesit e grupit qytetar “Lista Studentore – Studentët fitojnë”. Po ashtu, ishte personi që shpalli fitoren e kësaj liste në selinë e saj, natën e zgjedhjeve të 25 tetorit.