Pas pjesëmarrjes në Samitin e gjashtë të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Tiranë, Kurti ka thënë se Kosova e ka merituar këtë hap dhe se tani ai është bërë urgjent.

“Kërkesën për statusin e kandidatit dhe çeljen e negociatave e bëj në çdo takim, sepse qytetarët tanë e mbështesin BE-në dhe i besojnë asaj ndër më së shumti në rajon. Kosova e ka fituar këtë hap me meritë. Ka qenë gjithmonë e rëndësishme, tani është urgjente”, tha Kurti.

Ai ka bërë të ditur se në samit, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, përfaqësuesit e vendeve të rajonit dhe Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, kanë diskutuar për reformat dhe integrimin gradual në Tregun e Vetëm të BE-së.

Kurti ka thënë se zgjedhjet e përsëritura e kanë ngadalësuar ritmin e reformave në Kosovë, por ka theksuar se me stabilitetin institucional është përshpejtuar dinamika e tyre.

“Ndonëse funksionimi demokratik nuk na mungoi, zgjedhjet e përsëritura e ngadalësuan ritmin e reformave. Tani, me stabilitet të plotë institucional, e kemi përshpejtuar dinamikën e tyre. Do t’i përmbushim të gjitha, edhe ato për të cilat fondet humbën, sepse reformat janë detyrë e jona kombëtare dhe evropiane”, theksoi ai.

Kreu i Qeverisë ka përmendur edhe marrëveshjet e mobilitetit, duke theksuar se Kosova i ka ratifikuar të pesë, ndërsa ka kritikuar Serbinë për mosnjohjen e diplomave të Kosovës.

Sipas Kurtit, bashkëpunimi rajonal nuk duhet të pengohet nga bllokadat dhe përfitimet nga fondet e Bashkimit Evropian duhet të ndërlidhen me zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara.