Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës, Mefail Bajqinovci ka reaguar lidhur me publikimin e takimit ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve ushtarakë serbë.

Bajqinovci ka theksuar se realiteti politik dhe institucional i Kosovës ka ndryshuar që nga viti 1999, duke nënvizuar se vendi është shtet i pavarur dhe sovran, me institucione legjitime dhe përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve.


Sipas tij, mekanizmat teknikë të krijuar pas luftës nuk mund të përdoren për të përcaktuar pozitën aktuale politike të Kosovës apo për të lënë përshtypjen se institucionet e saj nuk duhet të përfshihen në çështjet e sigurisë.

Ai ka thënë se nuk e vë në dyshim rëndësinë e komunikimit ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve ushtarakë serbë për parandalimin e incidenteve, por e ka cilësuar si politikisht të papërshtatshme dhe të pandjeshme gjuhën e përdorur në publikimin e takimit, veçanërisht shprehjen “respekt i ndërsjellë”.

Deputeti ka rikujtuar edhe çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, si dhe krimet e kryera nga forcat serbe, përfshirë zbulimin e varrezave masive.

“Për familjet e viktimave dhe për qytetarët tanë, këto nuk janë çështje të së kaluarës së largët; ato kërkojnë drejtësi, përgjegjësi dhe respekt”, ka deklaruar Bajqinovci.

Në reagimin e tij, ai i ka bërë thirrje KFOR-it që të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe transparente, duke mbajtur komunikim të rregullt me institucionet e Republikës së Kosovës.

Bajqinovci ka theksuar se çdo mekanizëm i sigurisë që lidhet me Kosovën duhet të pasqyrojë realitetin e sotëm dhe të mos krijojë përshtypjen se vendi mund të trajtohet pa përfshirjen e institucioneve të tij. /Telegrafi/