E premte, 27 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
“Të japim lekë ta heqim nga SPAK-u”, përgjimet e SKY ECC fundosin grupin e Dritan Rexhepit
Lajme

“Të japim lekë ta heqim nga SPAK-u”, përgjimet e SKY ECC fundosin grupin e Dritan Rexhepit

Dosja për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës ka marrë një tjetër zhvillim në Gjykatën e Posaçme, ku SPAK ka paraqitur një sërë komunikimesh të përftuara nga aplikacioni i koduar SKY ECC. Bisedat, që datojnë kryesisht në vitin 2020, përmbajnë elemente të cilat, sipas organit të akuzës, lidhen drejtpërdrejt me organizimin e rrëmbimit, konfliktin për një sasi të madhe kokaine dhe përpjekjet për të orientuar dëshmitë pas ngjarjes.

Në komunikimet e administruara në dosje përmenden Dritan Rexhepi, Gentian Funiqi, Altin Hajri dhe Geraldo Martini. SPAK ka bërë të ditur se identifikimi i personave është realizuar përmes kodeve dhe profileve që ata përdornin në platformën e enkriptuar.

GJKKO ka pranuar kërkesën e prokurorisë për administrimin e këtyre materialeve si prova të reja në procesin gjyqësor. Sipas pretendimeve të SPAK, komunikimet ndihmojnë në rindërtimin e episodeve që paraprinë dhe pasuan rrëmbimin e Jan Prengës, më 17 janar 2020.

“Të japim lekë ta heqim nga SPAK-u”, biseda për largimin e dosjes nga Prokuroria e Posaçme

Një prej pjesëve më të rëndësishme të materialeve të paraqitura në gjykatë lidhet me diskutimet për mënyrën se si çështja mund të largohej nga kompetenca e SPAK-ut dhe të kalonte në një prokurori të zakonshme.

Sipas akuzës, në komunikimet e korrikut 2020, Gentian Funiqi diskutonte për mundësinë e ndërhyrjes me qëllim ndryshimin e rrugës institucionale të hetimit. Në një prej mesazheve të cituara nga prokuroria thuhet:

“Të japim noj lek ta heqim nga SPAK-u. Mësoje Festimin të thotë kam qenë i stresuar dhe kam folur nga frika”.

Për SPAK-un, kjo bisedë përmban dy elemente me rëndësi për hetimin: diskutimin për të ndikuar në kompetencën e organit që po ndiqte çështjen dhe përpjekjen e dyshuar për të orientuar deklarimet e Festim Bexhdelit, duke i sugjeruar që të justifikonte fjalët e tij me gjendjen e stresit dhe frikës.

Prokuroria e konsideron këtë komunikim pjesë të përpjekjeve për të ndikuar në ecurinë e hetimeve dhe në dëshmitë që mund të ndihmonin në zbardhjen e ngjarjes.

Bisedat për kokainën dhe rrëmbimin e Jan Prengës

Një tjetër grup komunikimesh që SPAK ka paraqitur në GJKKO lidhet me periudhën 2-4 prill 2020. Në bisedat mes Altin Hajrit dhe Gentian Funiqit, sipas prokurorisë, trajtohen çështje që kanë të bëjnë me ngarkesën e kokainës së ardhur nga Ekuadori dhe zhvillimet pas rrëmbimit të Jan Prengës.

Në njërën prej tyre, Hajri shprehet: “Ishalla ti mbushim mendjen, do përgatit pak ai”.

Sipas interpretimit të SPAK-ut, komunikimet lidhen edhe me përpjekjet për të ndikuar te personat që mund të jepnin informacion mbi ngjarjen.

Në dosje përmendet gjithashtu se, përpara se të vendosej rrëmbimi i Jan Prengës, ishte diskutuar mundësia që objektiv të ishte babai i Ndrek Prengës. Në vijim, sipas versionit të paraqitur nga prokuroria, plani ndryshoi dhe personi që u mor peng ishte Jan Prenga.

Në komunikimet e zbardhura përmenden edhe mesazhe që, sipas SPAK-ut, i ishin dërguar vëllait të viktimës, i cili në atë kohë ndodhej në burg.

Mesazhi i Dritan Rexhepit në janar 2021: “Kanë mbajtur brenda vetëm atë që kishte fol pak”

Materialet e SKY ECC përmbajnë edhe një komunikim të datës 30 janar 2021, në të cilin Dritan Rexhepi shkruante:

“Paskan dalë ata çunat që zunë për pengun, kanë mbajtur brenda vetëm atë që kishte fol pak”.

Ky mesazh është një tjetër element që SPAK ka përfshirë në materialet e reja të paraqitura para gjykatës. Komunikimi i referohet personave të arrestuar në lidhje me episodin e pengmarrjes dhe lirimit të disa prej tyre, ndërsa prokuroria e ka vendosur atë në kontekstin e marrëdhënieve dhe kontakteve mes personave të përfshirë në ngjarje.

Një pjesë tjetër e bisedave trajton edhe një episod që lidhet me ngarkesën e drogës, e cila ishte dëmtuar pasi kishte marrë ujë deti. Në komunikime diskutohet për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë problem, duke e lidhur sërish çështjen e kokainës me zhvillimet e hetuara nga SPAK.

Ndërkohë, mbrojtja e Dritan Rexhepit ka kërkuar që të vihen në dispozicion komunikimet konkrete të nxjerra nga SKY ECC, për të analizuar përmbajtjen dhe kontekstin e tyre.

Në seancën e ardhshme, të planifikuar më 11 dhjetor 2026, në orën 10:00, avokatët pritet të paraqesin qëndrimin dhe analizën e tyre mbi provat e depozituara nga prokuroria. Gjykata ka urdhëruar gjithashtu njoftimin për procesin gjyqësor të Korado Keshtenjas, i cili ndodhet i arrestuar në Londër.

Si u organizua rrëmbimi i Jan Prengës dhe çfarë roli dyshohet se pati Dritan Rexhepi?

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Dritan Rexhepi dyshohet të ketë qenë një prej personave që porositën dhe organizuan rrëmbimin e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur më 17 janar 2020 në Kamëz. Dosja e prokurorisë e lidh këtë episod me zhdukjen e një sasie të konsiderueshme kokaine në Britaninë e Madhe, e cila ishte transportuar nga Ekuadori.

Dyshimet për humbjen e ngarkesës së drogës ishin përqendruar te Astrit Prenga, vëllai i Jan Prengës. Për shkak të konfliktit që lidhej me kokainën, sipas akuzës, u organizua marrja peng e Janit, me synimin për të ushtruar presion ndaj familjarëve të tij dhe për të siguruar kthimin e drogës.

Në kohën kur ndodhi rrëmbimi, Dritan Rexhepi ndodhej në një burg në Ekuador. Sipas SPAK-ut, ai dyshohet se ka bashkëpunuar me Gentian Funiqin dhe persona të tjerë në Shqipëri, mes tyre edhe pjesëtarë të grupit të lidhur me Altin Hajrin, për realizimin e pengmarrjes.

Hetimet pretendojnë se Rexhepi ka komunikuar me vëllezërit e Jan Prengës, duke u premtuar se ai mund të lirohej nëse kthehej ngarkesa e humbur e kokainës. Megjithatë, ngjarja përfundoi në tragjedi.

Jan Prenga dyshohet se humbi jetën si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij në kompleksin “Golden”, në Shijak. Pas kësaj, trupi i tij u zhduk dhe ende nuk është gjetur.

Një tjetër element i rëndësishëm i dosjes lidhet me komunikimet e mëvonshme të Rexhepit me familjarët e viktimës. Sipas hetimeve, ai dyshohet se u ka bërë të ditur emrat e personave që kishin marrë pjesë në rrëmbim, duke pretenduar se ata e kishin tradhtuar, pasi pengu ishte vrarë në vend që të lirohej.

Dritan Rexhepi mohon përfshirjen në ngjarje

Pas ekstradimit nga Turqia, Dritan Rexhepi ka dalë para Gjykatës së Posaçme, ku ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.

Në deklarimet e tij, ai ka pretenduar se nuk i njeh të pandehurit e tjerë dhe se emri i tij mund të jetë përdorur nga persona të tjerë në komunikimet që janë bërë pjesë e hetimit.

Pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, SPAK ka kërkuar që komunikimet e zbërthyera nga SKY ECC të shërbejnë si prova në procesin gjyqësor, kërkesë e cila është pranuar nga GJKKO.

Seanca e 11 dhjetorit pritet të jetë një tjetër moment i rëndësishëm për shqyrtimin e këtyre materialeve, pasi mbrojtja do të paraqesë analizën e saj mbi komunikimet që prokuroria i konsideron thelbësore për të dokumentuar prapaskenat e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.