Me anë të një video të publikuar në llogarinë e tij personale në “Facebook”, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka njoftuar se së shpejti do të publikojë një dokumentar, në të cilin do të rrëfejë rrugëtimin e tij politik dhe përballjen me drejtësinë, pas akuzave që tronditën karrierën e tij dhe e detyruan të largohej nga politika.
Dokumentari është realizuar në bashkëpunim me ZËRI-n dhe synon të sjellë versionin e Tahirit mbi ngjarjet, rrethanat dhe zhvillimet që çuan në hetimin dhe dënimin e tij.
Të lidhura
None found
Përmes këtij projekti, ish-ministri Sajmir Tahiri, pritet të ndajë me publikun këndvështrimin e tij për një prej periudhave më të vështira të karrierës politike.
Ndërkohë, Tahiri ka publikuar edhe një fragment të shkurtër nga përgjimet, duke shoqëruar pamjet me një koment ironik në rrjetet sociale.
Gjithashtu, në reagimin e tij, ai ndalet te mënyra se si përmendej nga personat e përfshirë në komunikimet e përgjuara, duke zbuluar se anëtarët e grupit kriminal e thërrisnin “Kryeministër”.
“Sa mirë mund ta njohësh partnerin… në krim? Mua, për shembull, grupi im kriminal më kishte emëruar Kryeministër, promovim që e mora vesh vetëm nga përgjimet… Work in progress…”?- shkruan Tahiri.
Me këtë koment, ish-ministri duket se i referohet përmbajtjes së përgjimeve të përdorura në çështjen ndaj tij, duke vënë në dukje me ironi mënyrën se si përmendej në komunikimet e personave të tjerë.
Publikimi i këtij fragmenti vjen përpara daljes së dokumentarit të plotë, i cili pritet të trajtojë nga këndvështrimi i Tahirit përballjen me akuzat, procesin gjyqësor dhe largimin nga politika.
Mbetet për t’u parë se çfarë materialesh dhe dëshmish të tjera do të përmbajë dokumentari dhe cilat do të jenë detajet që ish-ministri do të zgjedhë të bëjë publike për këtë periudhë të jetës së tij.
Përgjimi:
Maridian Sulaj: Presidenti e ka 01, 02 e ka Kryeministri, 03 është Audi që ka Artani, që e kishte ai kushëriri jonë.
Avdul Sulaj: Ëëë…
Maridian Sulaj: Vetëm ata.
Avdul Sulaj: Po mirë, ata kanë targa të veçanta.
Maridian Sulaj: Ëëë, targa të veçanta. 03 e ka Artani, që ia dha ai…
Klardi Sulaj: Kush Artan?
Maridian Sulaj: Ishte i kushëririt tonë, ai Kryeministri o vlla, ça është ai…
Avdul Sulaj: Saimiri.
Maridian Sulaj: Saimir Tahiri.
Maridian Sulaj: 01 e ka Presidenti, 02 e ka Kryeministri, 03 e ka Saimiri.
Klardi Sulaj: Është ministër i Brendshëm.
Një burrë shqiptar: Targat e shtetit, kur shiten, u hiqet targa.
Maridian Sulaj: Ore, ai ia ka dhënë me gjithë dokumenta Artanit, a të qifja… I hiqet, thotë.







