Mazhoranca socialiste miratoi të enjten me 80 vota Buxhetin dhe Paketën Fiskale për vitin 2027, të cilat parashikojnë një sërë ndryshimesh në taksat kombëtare. Opozita votoi kundër dhe një seri amendamentesh të dorëzuara prej saj u rrëzuan.
Megjithatë, një amendament i minutës së fundit i dorëzuar nga një deputete e PS-së për lehtësimin e barrës fiskale për hotelet me 4 dhe 5 yje u miratua.
Amendamenti u propozua nga deputetja Briseida Çakërri dhe parashikon shtyrjen deri në dhjetor të vitit 2029 të afatit për përjashtimin nga tatimi mbi fitimin për hotelet me 4 dhe 5 yje.
Opozita e konsideroi këtë amendament jotransparent dhe një favor të ‘klientëve të pushtetit”.
“Ndërkohë që i kanë premtuar KE që ligji i investimeve strategjike do të shfuqizohet, nga ana tjetër që në 2018 shtyjnë favoret për investitorët strategjikë,” tha deputetja demokrate, Jorida Tabaku duke kontestuar procedurën jotransparente.
“Me një amendim që nuk është publikuar po përdoren deputetët për ligje që favorizojnë interesa të veçanta,” shtoi ajo.
Paketa ndryshon pesë ligje fiskale dhe përfshin disa masa që parashikojnë rritje të të ardhurave buxhetore me 23,8 miliardë lekë, ndërsa masa të tjera që çojnë në reduktim e tyre me 19,7 miliardë lekë.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, vlerësoi efektin neto në rreth 3,8 miliardë lekë të ardhura shtesë, duke argumentuar se ndryshimet synojnë rishpërndarjen e barrës fiskale, lehtësimin e taksimit për shtresën e mesme, rritjen e kontributit nga të ardhurat më të larta dhe përafrimin me standardet e BE-së.
Ndryshimet kryesore lidhen me rritjen e TVSH-së standarde nga 20% në 21%, ndërsa për 14 kategori produktesh bazë ushqimore parashikohet normë e reduktuar prej 6%.
Pragu i regjistrimit të detyrueshëm në TVSH për biznesin e vogël sulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, zgjerimin e fashës së tatimit 13% mbi pagat deri në 300 mijë lekë bruto në muaj dhe aplikimin e normës 30% për pagat mbi 700 mijë lekë.
Paketa parashikon heqjen e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër karburant, por njëkohësisht dyfishon tarifën fikse të përdorur në formulën e taksës vjetore të automjeteve, duke përfshirë edhe automjetet e reja dhe ato elektrike, ndërsa taksa shtesë për automjetet luksoze rritet nga 21 mijë në 40 mijë lekë.
Gjithashtu, akciza e cigareve do të rritet gradualisht deri në vitin 2033, në përputhje me kalendarin e përafrimit me legjislacionin e BE-së. /BIRN












