Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka kërkuar përshpejtimin e integrimit europian të Kosovës dhe ka paralajmëruar për rrezikun që paraqesin për Ballkanin Perëndimor nacionalizmi ekstrem, revizionizmi historik dhe glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte. Në samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, që u zhvillua këtë të premte në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Begaj e cilësoi zgjerimin e Bashkimit Europian si pjesë të përgjigjes ndaj sfidave të reja gjeopolitike dhe të sigurisë.
“Ballkani Perëndimor nuk mund të shihet i shkëputur nga siguria e përgjithshme evropiane. Një Evropë më e sigurt kërkon një rajon të ankoruar fort në institucionet dhe vlerat evropiane. Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të forcojë sigurinë, qëndrueshmërinë dhe aftësinë e Evropës për të vepruar”, u shpreh Begaj.
Kreu i shtetit tërhoqi vëmendjen ndaj kërcënimeve hibride, sulmeve kibernetike, dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja. Ai theksoi se nacionalizmi ekstrem, revizionizmi historik dhe glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte cenojnë besimin mes vendeve të rajonit dhe pengojnë pajtimin. Begaj përsëriti qëndrimin e Shqipërisë për përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës, marrjen e statusit të vendit kandidat në BE dhe anëtarësimin në organizatat e tjera ndërkombëtare.
Sa i përket Shqipërisë, presidenti prezantoi objektivat për përmbylljen e negociatave në vitin 2027 dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian në vitin 2030. Ai kërkoi që përmbushja e reformave nga vendet kandidate të shoqërohet me përparim konkret drejt anëtarësimit, në mënyrë që procesi i zgjerimit të mbetet i besueshëm. Begaj vlerësoi gjithashtu rëndësinë e Procesit të Berlinit, Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planit të Rritjes së BE-së për zvogëlimin e diferencave ekonomike mes Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të unionit.
“Bashkëpunimi rajonal nuk është një alternativë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por një nga mënyrat për t’u përgatitur për të”, theksoi presidenti. Në përfundim të samitit, liderët miratuan Deklaratën e Përbashkët të Ohrit, në të cilën zgjerimi i BE-së cilësohet një domosdoshmëri gjithnjë e më e madhe gjeopolitike. Në dokument theksohet se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të trajtohen si vende të treta, por si pjesë përbërëse e rrjeteve infrastrukturore, integrimit ekonomik dhe zhvillimit të ardhshëm të Europës. Samiti u zhvillua me mikpritëse presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe me bashkëdrejtues të procesit presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, dhe presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović.