Kush është Radomir Saiçiq, kandidati për president të Serbisë nga Lëvizja Studentore?

Kush është Radomir Saiçiq, kandidati për president të Serbisë nga Lëvizja Studentore?

14:35, 27/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Akademiku serb, Radomir Saiçiq është kandidat i Listës Studentore për zgjedhjet presidenciale që janë caktuar që të mbahen më 27 dhjetor në Serbi.

Gjatë një adresimi, Saiçiq tha se do të avokojë për një Serbi sovrane, në të cilën Kushtetuta e saj do të respektohet dhe që të jetë një vend ku çdo qytetar të jetojë me dinjitet.

“Si president do t’i përmbahem autoritetit tim dhe publikisht do të shpjegoj vendimet që do marr dhe do të kërkoj përgjegjësi të njëjtë nga bartësit e tjerë të pushtetit”, tha ai.

Saiçiq kritikoi Qeverinë në largim të udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe, duke argumentuar se po synon që ta kolapsoi shteti.

“Parlamenti, Qeveria dhe gjykatat duhet që ta rifitojnë besimin e qytetarëve. Kjo vlen edhe për Presidencën. Për vite të tëra, Presidenca është përdorur për të thelluar ndarjet dhe fuqitë kushtetuese janë zgjeruar”, tha ai.

I pyetur rreth qëndrimit të tij ndaj Bashkimit Evropian, Saiçiq, tha se ai ka qëndrim pozitiv ndaj bllokut evropian dhe vlerave evropiane.

Sipas tij, duhet të bëhet përparim real drejt anëtarësimit në BE, duke u shprehur i bindur se kjo mund të arrihet me një ritëm të përshtatshëm.

I pyetur rreth qëndrimit të Qeverisë së ardhme serbe ndaj popullatës serbe që jeton në shtet fqinje, Saiçiq tha se “serbët janë një komb”, por organizimet shtetërore të shteteve të tjera duhet të respektohen.

“Detyra e Qeverisë së re duhet të jetë që të bashkojë popullatën serbe e jo të krijojë ndarje false dhe të panevojshme, siç ka bërë Qeveria paraprake në Mal të Zi dhe në [entitetin serb në Bosnje dhe Hercegovinë] Republika Sërpska dhe gjetiu”, tha ai.

Ai po ashtu tha se pret që Qeveria e re e Serbisë të formohet para afatit kushtetues. Afati për formimin e Qeverisë në Beograd është 90 ditë nga konsitituimi i Parlamentit.

Saiçiq është profesor i rregullt në Fakultetin e Kimisë të Universitetit të Beogradit dhe anëtar i rregullt i Akademisë serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU).

Ai publikisht mbështeti protestat e udhëhequr nga studentët, të cilat me kalimin e kohës u shndërruan në një lëvizje që në fokus ka luftën kundër korrupsionit dhe ndryshimet sistemike.

Protestat në Serbi nisën pas vdekjes së 16 personave nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor 2024.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit, Lëvizja Studentore u bë forca kryesore politike në Serbi, duke i dhënë fund pushtetit 14-vjeçar të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit.

Fitoren në natën e zgjedhjeve të Listës Studentore, i pari e njoftoi Radomir Saiçiq.

“Kjo fitore nuk është trofe personal i askujt, ajo u përket të gjithëve ne. Por, e dashur Serbi, fitorja e madhe sjell me vete edhe përgjegjësi të madhe”, tha Saiçiq më 25 tetor.

Ai në natën e zgjedhjeve deklaroi edhe se “asnjë forcë nuk mund ta mposhtë një popull që ka vendosur ta marrë fatin e vet në duart e veta”.

Angazhimi politik

Saiçiq ishte një nga themeluesit e grupit të qytetarëve që kandiduan Listën Studentore në zgjedhjet parlamentare të tetorit.

Si kandidat i Lëvizjes Studentore, ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Serbisë.

Pas konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit serb, u emërua anëtar i Komisionit për Arsim.

Në qershor të vitit 2025, ai ishte një nga nënshkruesit e peticionit me të cilin një pjesë e anëtarëve të SANU-s kërkuan dorëheqjen e presidentit të atëhershëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dorëheqja e Vuçiqit u kërkua për shkak të “shkatërrimit të themeleve demokratike, institucionale dhe shoqërore” të Serbisë.

Saiçiq në atë kohë në një intervistë për të përjavshmen NIN deklaroi se akademikët nuk duhet të qëndrojnë mënjanë kur shoqëria është në krizë të rëndë.

Pas zgjedhjeve, ai tha se Lista Studentore nuk dëshiron përballje jashtë institucioneve, por se angazhohet për një sistem të ri vlerash, në të cilin drejtësia do të jetë e njëjtë për të gjithë dhe ligjet do të vlejnë për të gjithë.

Ai paralajmëroi “çlirimin” e sistemit gjyqësor dhe mediave, si dhe hetime dhe ndjekje penale më efikase të përgjegjësve për shembjen e strehës në Novi Sad. Më pas, publikimin e kontratave deri më tani sekrete për projektet kryesore infrastrukturore që shteti ka lidhur, si dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Arsimi dhe puna akademike

Radomir Saiçiq studioi për kimi në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Beogradit.

Për punimin më të mirë të magjistraturës, në vitin 1987, mori Çmimin e Tetorit të Qytetit të Beogradit për studentë.

Doktoroi në Fakultetin e Kimisë në Beograd.

Specializimin e vazhdoi në Francë, në Institutin për Kimi të Produkteve Natyrore, pranë Qendrës Kombëtare për Kërkime Shkencore në Gif-sur-Yvette.

Fushat e tij të studimit janë kimia organike, sinteza organike dhe kimia mjekësore.

Që nga viti 2012 ai është profesor i rregullt në Fakultetin e Kimisë në Beograd. Ndërkaq, anëtar korrespondent i SANU-s u zgjodh po më 2012, ndërkaq anëtar i rregullt më 2018.

Ai është fitues i Çmimit të Qytetit të Beogradit për arritjen më të mirë shkencore në vitin 2006 dhe është nderuar me Medaljen e Shoqatës Serbe të Kimisë për përkushtim dhe sukses në shkencë, në vitin 1995.

Saiçiq u lind në vitin 1961 në Beograd. /REL/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco