PD kërkon zgjatjen e afatit të komisonit për reformën zgjedhore, që mbaron më 30 nëntor.
Pjesë nga letra
Kuvendi, me qëllim realizimin e një reforme zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse, me vendimin nr. 74/2025, datë 27.10.2025, miratoi ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, me përfaqësim të barabartë të shumicës dhe pakicës parlamentare.
Afati aktual i veprimtarisë së këtij Komisioni përfundon më 30 nëntor 2026.
Pavarësisht punës së zhvilluar deri më sot, diskutimeve, konsultimeve dhe angazhimit të ekspertëve teknikë, veprimtaria e Komisionit nuk ka avancuar me ritmin e nevojshëm për përmbushjen e plotë të objektivave dhe detyrave të përcaktuara nga Kuvendi.
Aktualisht, Grupi i Ekspertëve Teknikë ndodhet në një fazë të rëndësishme të punës për hartimin dhe finalizimin e disa projektligjeve, një pjesë e të cilave tashmë janë depozituar pranë Komisionit. Këto projektligje synojnë jo vetëm ndryshime në Kodin Zgjedhor, por edhe ndërhyrje në Kodin Penal, përmirësimin e kuadrit ligjor për financimin e partive politike, si dhe në legjislacionin tjetër që lidhet drejtpërdrejt ose tërthorazi me procesin zgjedhor.
Shqyrtimi i këtyre projektligjeve, diskutimi në nivel teknik dhe politik, konsultimi me aktorët e interesuar dhe arritja e dakordësisë ndërmjet palëve kërkojnë kohë shtesë.
Njëkohësisht, një pjesë e konsiderueshme e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, të evidentuara në raportet për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 dhe proceset e mëparshme zgjedhore, mbeten ende të patrajtuara ose të papasqyruara në legjislacionin përkatës. E njëjta nevojë për shqyrtim dhe reflektim ekziston edhe për rekomandimet e Këshillit të Evropës apo asistencës teknike Komisionit të Venecias dhe të partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.
Në këtë drejtim, vlerësojmë gatishmërinë e vazhdueshme të OSBE/ODIHR-it, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë për të asistuar Kuvendin e Shqipërisë në realizimin e reformës zgjedhore, përfshirë angazhimin dhe praninë e ekspertëve ndërkombëtarë në Shqipëri gjatë këtyre ditëve.
Përfundimi i mandatit të Komisionit në këtë fazë të punës do të rrezikonte të linte të papërfunduar një pjesë të rëndësishme të procesit legjislativ dhe të mos mundësonte shfrytëzimin e plotë të asistencës teknike ndërkombëtare.
Zgjatja e afatit të veprimtarisë së Komisionit do të mundësonte:
- Përfundimin e hartimit, shqyrtimit dhe diskutimit të projektligjeve të përgatitura nga ekspertët teknikë;
- Trajtimin dhe adresimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Këshillit të Evropës;
- Përmirësimin e kuadrit ligjor për parandalimin dhe luftimin e krimeve zgjedhore, financimin e partive politike dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje;
- Vijimin e konsultimeve dhe të bashkëpunimit me ekspertët dhe partnerët ndërkombëtarë;
- Krijimin e kohës së nevojshme për diskutimin dhe arritjen e dakordësisë politike mbi çështjet themelore të reformës zgjedhore.
Për sa më sipër, në cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, në emër të Partisë Demokratike dhe përfaqësuesve të opozitës në këtë Komision, kërkoj zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit për një periudhë shtesë prej rreth 2-3 muajsh.
Kjo zgjatje vlerësohet e nevojshme për të mundësuar përmbushjen e mandatit të ngarkuar nga Kuvendi, adresimin e rekomandimeve ndërkombëtare dhe realizimin e një reforme zgjedhore të plotë, gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Lajmi në përditësim...











Komente
Komento