“Dorëzova kallëzimin bashkë me provat”/ Kapri: SPAK po heton rolin e kreut të Policisë në dhunën ndaj protestuesve

27/11/2026 12:45

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka bërë të ditur se SPAK ka nisur një hetim lidhur me dhunën policore gjatë protestës së 17 tetorit, duke përfshirë edhe rolin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Në një deklaratë për mediat, Kapri tha se ka depozituar një kallëzim pranë SPAK-ut ndaj drejtuesit të Policisë, së bashku me prova për ngjarjet e ndodhura gjatë protestës.

Sipas deputetit, 17 tetori ishte dita kur protesta u shoqërua me përdorim të madh të gazit, shoqërime të dhunshme të protestuesve dhe ndërhyrje të forcave RENEA pranë Kryeministrisë.

“Kam bërë një kallëzim pranë Prokurorisë së Posaçme ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, saktësisht për datën 17 tetor, ditën që ishte edhe kulmi i protestës kombëtare, në ditën kur u përdor një sasi e jashtëzakonshme gazi në shesh, ditën kur u morën zvarrë një numër i madh të rinjsh që u shoqëruan në mënyrë të dhunshme, që janë rrahur në mënyrë barbare, ditën që është shpërndarë me dhunë protesta dhe ditën kur kryeministria është rrethuar nga forcat RENEA.
Është po e njëjta ditë kur në mbrëmje bashkë me kryetarin e Partisë Mundësia, zotin Shehaj, hasëm në bulevard drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, shkuam iu afruam dhe i kërkuam llogari për dhunën barbare të Policisë së Shtetit ndaj protestuesve dhe pavarësisht se zoti Hitaj refuzoi të japë llogari, siç e dini, urdhëroi një nga punonjësit e vet të maskuar të më sulmonte me lëndë helmuese.
Në lidhje me të gjitha këto rrethana kam bërë kallëzimin përkatës bashkë me provat dhe lajmi i mirë është që Prokuroria e Posaçme ka nisur një hetim për dhunën policore dhe për rolin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në raport me dhunën barbare që është ushtruar në protestë”, sqaroi deputeti i Partisë Mundësia.

Sipas Kaprit, lajmi se SPAK po heton drejtuesin më të lartë të Policisë është dyfish i mirë pas vendimit të Kushtetueses që pezulloi aktin normative që gjobit protestuesit pse dalin kundër qeverisë.

“Ky është lajm dyfish i mirë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të djeshme ku u vendos pezullimi i aktit normativ dhe fakti që nis nga SPAK një hetim ndaj drejtuesit më të lartë të Policisë, për dhunë policore ky është një lajm shumë i mirë për drejtësinë por është një lajm shumë i mirë edhe për një protestues. Sot jemi vetëm një ditë larg protestës së madhe kombëtare në datën 28 kështu që thirrja ime është për të gjithë që të dalim të protestojmë sepse ky është nëntori i tretë”, përfundon deklaratën e tij Kapri.

Top Channel