Një 23-vjeçare me origjinë shqiptare është vrarë nga partneri i saj në Ponte a Buggiano, në provincën e Pistoias, në rajonin italian të Toskanës. Krimi ndodhi vetëm një ditë pas Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.

Viktima është Ionela Miruna Girneata, ndërsa autori i dyshuar, 25-vjeçari Andrea Nardini, i dha fund jetës në të njëjtin vend ku, më pak se tre muaj më parë, një tjetër grua u vra nga ish-partneri i saj.

Siç raportojnë mediat italiane fqinjët e kishin parë 25-vjeçarin mëngjesin e së enjtes, pak para orës 08:00, duke dalë nga banesa dhe duke u larguar me makinë. Gjithçka dukej si fillimi i një dite të zakonshme pune për të riun, i cili ishte i punësuar në një fabrikë letre.

Por brenda banesës ndodhej trupi i pajetë i Ionelës. E reja ishte goditur dhunshëm në kokë, dyshohet me një peshë dore që përdoret për ushtrime fizike.

Rreth orës 08:30, në numrin e emergjencës 112 mbërriti telefonata e 25-vjeçarit.

“E dashura ime ka vdekur, shkoni atje, në rrugën Roma 45, në Ponte a Buggiano. Ishte një aksident. Nuk duhet ta gjejnë gjyshërit e mi. Unë do të vras veten”, tha ai.

Pak minuta pas telefonatës, një ambulancë dhe zjarrfikësit mbërritën përpara vilës dykatëshe ku jetonte çifti. Pasi hapën derën e banesës, ekipet e emergjencës gjetën trupin e pajetë të 23-vjeçares.

Ndërkohë, policia kishte lokalizuar telefonin celular të Nardinit në autostradën A1. I riu i kishte vënë flakën makinës së tij, një Alfa Romeo Giulietta blu, dhe më pas i kishte dhënë fund jetës në ë Barberino del Mugello.

Pikërisht në këtë zonë, më 3 shtator, ishte vrarë Lorena Isceri. Ish-partneri i saj e kishte rrëmbyer dhe lidhur në bagazhin e makinës, përpara se ta hidhte nga viadukti ende të gjallë dhe më pas t’i jepte fund edhe jetës së tij.

Vetëm 24 orë përpara vrasjes së Ionelës, në dy zona shërbimi përgjatë autostradës ishin përuruar dy stola të kuq, me pllaka përkujtimore në nderim të Lorenës dhe të gjitha grave viktima të dhunës.

Dyshimet se Ionela luftoi për të shpëtuar jetën

Ionela dhe Andrea ishin njohur gjatë viteve të shkollës. Sipas një fqinje, çifti bashkëjetonte prej rreth gjashtë vitesh, që nga periudha e pandemisë së Covid-19.

E reja ishte transferuar në banesën e partnerit sapo kishte arritur moshën madhore. Ata jetonin në katin sipër gjyshërve të 25-vjeçarit, të cilët ai nuk donte që ta gjenin trupin e saj.

Ionela kishte jetuar më parë në Lammari, pranë qytetit të Luccas. Pas diplomimit për kontabilitet kishte nisur punë në një agjenci imobiliare, ndërsa prej disa kohësh punonte në një fabrikë letre në Porcari.

Kur hetuesit dhe ekspertët e policisë shkencore hynë në banesën e çiftit, gjetën shenja të një përleshjeje fizike. Dyshimet janë se Ionela ishte përpjekur me të gjitha forcat të mbrohej nga partneri.

Në banesë nuk u gjet asnjë letër. Hetuesit pritet të analizojnë telefonat celularë të çiftit për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur mes tyre përpara krimit.

Familjarët mbërritën në banesë ndërsa policia po kryente hetimet. Të tronditur nga ngjarja, gjyshërit e 25-vjeçarit u kërkuan gazetarëve t'i linin të qetë.

Vrasja e Ionelës ka tronditur edhe nënën e Lorena Iscerit, e cila ka ngritur shqetësimin për rrezikun e imitimit të krimeve të mëparshme.

“Ishte e tmerrshme të shihja sërish në televizor pamjet e atij viadukti. Ndjeva një pafuqi përballë kaq shumë dhimbjeje”, tha ajo.

Ngjarja ka shkaktuar reagime edhe në politikën italiane. Sekretarja e Partisë Demokratike, forcës kryesore të opozitës së qendrës së majtë në Itali, Elly Schlein, kërkoi miratimin e një ligji që përcakton qartë se marrëdhëniet seksuale pa pëlqim përbëjnë dhunë.