78 vite e 4 muaj burg për 12 të pandehur të dosjes “Revanshi”, ja sa u dënuan Shullazi dhe Avdyli
Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për dosjen e bujshme të krimit të organizuar, të njohur si “Revanshi”, ku në bankën e të akuzuarve ishin 12 persona, mes tyre emra të njohur të botës së krimit, si Astrit Avdyli dhe Emiljano Shullazi.
Me vendimin e datës 27 nëntor 2026, GJKKO ka dënuar në total me 78 vite e 4 muaj burg 12 të pandehurit. Në përllogaritjen e dënimeve është përfshirë edhe zbritja me 1/3, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ndërkohë, SPAK kishte kërkuar një total prej 93 vitesh burg për të pandehurit.
Përkatësisht, Astrit Avdyli dhe Emiljano Shullazi janë dënuar me nga 10 vite burg. Të dy janë shpallur fajtorë për veprën penale për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Për këtë vepër penale, gjykata i dënoi fillimisht me nga 8 vite burgim, ndërsa në bashkim të dënimeve për veprat e tjera penale caktoi nga 15 vite burg për secilin. Pas zbritjes së një të tretës së dënimit, masa përfundimtare u përcaktua në 10 vite burg.
Avdyli u shpall gjithashtu fajtor për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, mbajtje pa leje të armëve dhe municionit, ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, largim të të burgosurit nga vendi i qëndrimit dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Ndërsa Shullazi u shpall fajtor edhe për organizimin e një grupi të strukturuar kriminal, goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore, si dhe futjen e sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Në të njëjtën dosje, Naim Stafuka u dënua me 5 vite burg, Xhelal Rraja me 4 vite, ndërsa Blerim Abazi me 6 vite. Besian Xhixha, Enver Diva dhe Viktor Imeraj u dënuan me nga 6 vite e 8 muaj burg. Për Robert Laçin u caktuan 6 vite burg, për Gjergji Cukalin 8 vite, për Satilno Bashon 6 vite, ndërsa Miri Bruli u dënua me 3 vite e 4 muaj burgim.
Dosja “Revanshi” përfshin disa episode të dyshuara të planifikimit të vrasjeve, ku objektiva ishin emra të njohur të botës së krimit në Shqipëri. Mes episodeve të hetuara përmenden planet për vrasjen e Durim dhe Valter Bamit, Preng Gjinit, Ervis Martinajt, Erigers Mihasit, Elvis Gacajt, Altin Gegës, Fatmir dhe Armando Hysenit, si dhe Arben Ndokës.
Krahas akuzave për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, ndaj anëtarëve të grupit janë ngritur edhe akuza për pjesëmarrje apo organizim të grupit të strukturuar kriminal, armëmbajtje pa leje, komunikime për organizimin e veprimtarive kriminale nga burgu, futjen e sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe ndihmën për kalimin e paligjshëm të kufirit.
Dënimet e dhëna nga GJKKO:
Astrit Avdyli – 10 vite burg
Emiljano Shullazi – 10 vite burg
Naim Stafuka – 5 vite burg
Blerim Abazi – 6 vite burg
Besian Xhixha – 6 vite e 8 muaj burg
Enver Diva – 6 vite e 8 muaj burg
Robert Laçi – 6 vite burg
Gjergji Cukali – 8 vite burg
Viktor Imeraj – 6 vite e 8 muaj burg
Satilno Basho – 6 vite burg
Xhelal Rraja – 4 vite burg
Miri Bruli – 3 vite e 4 muaj burg
Gjykata vendosi që Avdyli dhe Shullazi ta vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë. Për të dy u caktua gjithashtu një periudhë sigurie sa kohëzgjatja e plotë e dënimit, gjatë së cilës nuk lejohet përfitimi i lirimit me kusht.
Vendimi i GJKKO-së mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.
Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë përmbytje në Librazhd, probleme me energjinë elektrike në disa fshatra
Ushtarë nga SHBA në Tiranë, stërvitje me forcat shqiptare për reagimin ndaj kërcënimeve kimike
Aktivitetet festive për 28-29 nëntor, policia e Vlorës njofton masat: Ja rrugët që do të bllokohen
- 15:43 Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë përmbytje në Librazhd, probleme me energjinë elektrike në disa fshatra
- 15:30 Ushtarë nga SHBA në Tiranë, stërvitje me forcat shqiptare për reagimin ndaj kërcënimeve kimike
- 14:49 Irani paralajmërim për Amazon, Microsoft dhe SpaceX? Shpërndan video me inteligjencë artificiale të një sulmi
- 14:35 Aktivitetet festive për 28-29 nëntor, policia e Vlorës njofton masat: Ja rrugët që do të bllokohen
- 14:25 Marta Kos: Të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë për integrimin
- 14:25 Era e fortë rrëzon depozitën 5 tonëshe nga taraca e një pallati 8-katësh në Fier (VIDEO)