Kuvendi miraton ndryshimet në ligjin për strehimin/Shtohen programet e strehimit, kredi me interes zero dhe subvencionim qiraje deri 50%

Ekonomi | 6 minuta më parë

Strehimi i përballueshëm për kategoritë që, për shkak të kushteve ekonomike, e kanë të vështirë të aksesojnë tregun e banesave, është synimi kryesor i ndryshimeve të reja ligjore në fushën e strehimit. Zëvendësministri Keputo shpjegon se cilat janë kategoritë që do të mund të përfitojnë nga programet e reja, pas miratimit të ndryshimeve ligjore.

“Familje të reja ë për çifte të reja, për profesionistë të rinj, por gjithashtu edhe për emigrantë që mund të kthehen”, u shpreh Mario Keputa, Zv Minister i Ekonomise dhe Inovacionit.

Ligji parashikon një sërë instrumentesh të reja.

“Kredi me subvencion në shumën deri në 6 milionë lekë të reja. Për familjet që kanë një, dy ose më shumë fëmijë dhe dëshirojnë një shtëpi pak më të madhe, ofrohen kredi me interes 3%”, tha ai.

Një tjetër risi është mbulimi i garancisë për marrjen e kredive për strehim.

“Po ndërhyjmë aty ku ka vërtet nevojë, për t’u ofruar këtë garanci edhe bankave, në mënyrë që ato të japin kredi 100% dhe të rinjtë, familjet e reja, të kenë akses në tregun e shtëpive”, tha ai.

Ndryshimet ligjore parashikojnë gjithashtu ndërtimin e banesave të reja sociale përmes formulës 30-40-30, duke vënë në dispozicion sipërfaqe toke publike.

“Nëse në këtë pallat do të ofrohen 100 apartamente, 30 prej tyre do të jenë banesa sociale me qira. Një pjesë tjetër, 40%, do të jenë banesa me kosto të ulët, ndërsa 30% e banesave do të jenë në tregun e lirë. Fondet që do të përfitohen nga këto banesa do të kalojnë në Fondin e Strehimit dhe, nëpërmjet këtij fondi, do të rindërtojmë pallate të tjera”, theksoi Zv. Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit.

Një tjetër program parashikon subvencionimin e qirasë, ku shteti do të mbulojë deri në 50% të vlerës së pranueshme. Aplikimet do të kryhen online, përmes platformës “Shtëpia jote”, ku qytetarët mund të ndjekin ecurinë e tyre dhe të informohen mbi procesin. Platforma do t’u mundësojë edhe pronarëve të publikojnë banesat e ofruara me qira, duke lehtësuar gjetjen e një strehimi për përfituesit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme