Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka komentuar përplasjet brenda Partisë Socialiste dhe reagimet e fundit të Elisa Spiropalit, duke e kritikuar për qëndrimet e saj ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Toska përdori metaforën e pasqyrës për të përshkruar ambiciet politike të Spiropalit, duke thënë se ajo e sheh veten më të madhe nga sa është në të vërtetë dhe se nuk ka arritur të bëhet një faktor i rëndësishëm brenda PS-së.

Sipas gazetarit, Spiropali është kujtuar vonë të flasë dhe reagimet e saj kanë ardhur vetëm pasi iu prekën interesat personale. Ai solli në vëmendje se, gjatë viteve kur qytetarët përballeshin me taksime të padrejta, bizneset largoheshin nga vendi dhe mediat sulmoheshin, ish-ministrja nuk kishte mbajtur qëndrime kritike ndaj qeverisë.

“Spiropali mirë që u kujtua të flasë, por u kujtua vonë dhe kur iu prek interesi personal. Kur shqiptarët përplaseshin me qeverinë për taksime të padrejta, kur merrnin çantat dhe iknin, kur mediat e ndryshme sulmoheshin, kur bëhej korrupsion, ajo nuk foli. Tani Spiropali, pasi pati luftë të brendshme në PS dhe u largua nga qeveria, filloi të flasë”, u shpreh Toska.

Ai ironizoi gjithashtu mënyrën se si është kujtuar Spiropali në publik, duke thënë se ajo mbahet mend kryesisht për shprehjen “Skënderbeu, Mamica; Mamica, Skënderbeu”, drejtuar Edi Ramës, dhe jo për ndonjë qëndrim kritik ndaj qeverisjes së tij.

Gazetari pretendoi se reagimi i saj erdhi pasi Tatimet shkuan pranë biznesit të bashkëshortit dhe ngriti pikëpyetje edhe për interesat ekonomike të familjarëve të saj.

“Bashkëshorti i saj ka përfituar park fotovoltaik në tokë bujqësore. Vëllai i bashkëshortit të saj ka marrë tendera. A ka moral Spiropali që është e përfshirë në afera?”, deklaroi Toska, duke iu referuar çështjeve që, sipas tij, kërkojnë përgjigje.

Ai theksoi se Spiropali duhet të përballet me këto çështje dhe të fitojë besimin e qytetarëve, nëse synon të paraqitet si një alternativë politike. Megjithatë, sipas gazetarit, beteja e saj aktuale nuk lidhet me interesin e shqiptarëve, por me interesat e veta personale.

“Nëse ajo fiton betejën me drejtësinë dhe merr mbështetjen e qytetarëve, bujrum. Por në këto kushte Elisa po bën betejë për veten, jo për shqiptarët”, u shpreh ai.

Në përfundim, Toska bëri një vlerësim të ashpër për të ardhmen politike të ish-ministres, duke deklaruar se karriera e saj ka përfunduar, pavarësisht përplasjes që po zhvillon me drejtuesit e Partisë Socialiste.

“Spiropali e ka mbyllur karrierën e saj pa ikur në burg, ndryshe nga Erion Veliaj”, përfundoi gazetari.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb