Trump thotë se i kërkoi Putinit të ndalë agresionin ushtarak në Evropë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar të enjten se gjatë bisedës me presidentin rus, Vladimir Putin, javën e kaluar, i ka kërkuar atij të ndalë agresionin ushtarak në territore të ndryshme të Evropës, me shpresën se kjo mund të çojë drejt një marrëveshjeje të shpejtë për përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Gjatë bisedave të mia në Kinë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, kalova shumë kohë duke folur për faktin se do të doja ta shihja presidentin Putin të ndalte të gjithë agresionin ushtarak kundër territoreve në të gjithë Evropën, me shpresën se mund të arrihet një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës, dhe kjo të ndodhë shpejt”, ka shkruar Trump në një postim në rrjetin social Truth Social.
Ai ka thënë se beson se një marrëveshje e tillë është e mundur, duke theksuar numrin e madh të viktimave nga lufta, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
“Vërtet besoj se kjo është një mundësi e fortë – mijëra njerëz po vriten çdo muaj. Një gjakderdhje e plotë”, ka shkruar Trump.
Megjithatë, Trump nuk ka dhënë detaje se cilat veprime konkrete të Rusisë kërkoi t'i ndalte. Shprehja e tij për agresionin kundër territoreve në të gjithë Evropën lë të kuptohet se kërkesa mund të përfshijë edhe veprime përtej fushëbetejës në Ukrainë.
Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, disa shtete kanë akuzuar herë pas here Moskën për veprime provokuese. Këtë javë, Polonia, anëtare e NATO-s, e akuzoi Rusinë për shkelje të qëllimshme të hapësirës së saj ajrore, ndërsa Estonia së fundmi e lidhi një sulm me zjarrvënie me shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse.
Më vonë të enjten, Trump përsëriti qëndrimin e tij se Putini dëshiron të arrijë një marrëveshje. Megjithatë, ai tha se armiqësia mes presidentit rus dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, po i vështirëson negociatat.
“Problemi më i madh për arritjen e asaj marrëveshjeje është fakti se kemi dy liderë që vërtet e urrejnë njëri-tjetrin”, u tha Trump gazetarëve në klubin e tij Mar-a-Lago, në Palm Beach të Floridës, ku po kalonte festën e Falënderimeve.
Trump tha se nuk e di nëse Putini do të marrë pjesë në takimin e ardhshëm të G20-s në Florida, më 14 dhe 15 dhjetor, ndërsa shprehu dyshime se lideri rus do të dëshironte të merrte pjesë.
“Nëse do të varej nga unë, do të doja që ai të ishte aty”, tha Trump.
Ndërkaq, Kremlini ka bërë të ditur të enjten se ende nuk është marrë asnjë vendim lidhur me pjesëmarrjen e Putinit në samit.
Trump u takua me Putinin javën e kaluar në Shenzhen të Kinës, në margjinat e takimit të liderëve të APEC-ut. Takimi ishte pjesë e përpjekjeve diplomatike të administratës amerikane për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të diskutuar çështje më të gjera të sigurisë.














